Maqedoni

Varianti Delta i Covid 19, disa shtete bëjnë të detyrueshme vaksinën

13.07.2021 14:05

Varianti Delta i virusit korona ka bërë që shumë shtete të shtojnë kufizimet e tyre...

Varianti Delta i virusit korona ka bërë që shumë shtete të shtojnë kufizimet e tyre, përfshi këtu edhe detyrimin për tu vaksinuar. Në Francë të gjithë punonjësit e shëndetësisë duhet të jenë të vaksinuar deri në shtator, ose ndryshe rrezikojnë të mos paguhen. Kështu ka paralajmëruar presidenti i Francës Emanuel Makron. 
 
“Nëse nuk veprojmë tani, numri i rasteve do të vijojë të rritet ndjeshëm dhe do të çojë në mënyrë të pashmangshme në shtrimin në spital nga gushti. Pra, është në vazhdim një garë e re.”, tha Emanuel Makron, president i Francës.
 
Gjithashtu, një tjetër masë është dhe pasaporta e imunitetit, e cila në Francë që nga gushti do të jetë e nevojshme për të hyrë në restorante, qendra tregtare, kafene, trena, avionë etj.
 
Edhe Greqia e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin ndaj Covid-19 të personelit shëndetësor. Imunizimi I detyrueshëm do të filloje nga 1 shtatori, Ata që refuzojnë mund të përballen me pezullim nga puna, ka deklaruar kryeministri grek Micotakis.
 
“Është e nevojshme që deri në fund të gushtit, 70 për qind e të rriturve të jenë vaksinuar. Me masat e reja në Greqi vetëm klientët e vaksinuar do të lejohen brenda bareve, kinemave, teatrove dhe hapësirave të tjera të mbyllura.”, tha Kirijakos Micotakis, kryeministër i Greqisë.
 
Britania e Madhe ndërkohë po bëhet gati për heqjen e kufizimeve më 19 korrik. Por kryeministri britanik Boris Jonson ka parlajmëruar se vendi duhet të jetë i kujdeshëm, për shkak të përhapjes së infeksoneve të reja.
 
“Derisa përhapja fenomenale e vaksinave i ka ofruar çdo të rrituri disa mbrojtje kundër virusit dhe lidhja thelbësore midis rasteve, hospitalizimit dhe vdekjeve është dobësuar, pandemia globale nuk ka mbaruar ende.”, tha Boris Jonson, kryeministër i Britanisë së Madhe.
 
Edhe Hollanda ka frenuar jetën e natës dhe muzikën, në një përpjekje për të luftuar një numër në rritje të rasteve të koronavirusit, të nxitur nga varianti shumë i transmetueshëm Delta.  Në Holandë rreth 7 000 infeksione të reja u regjistruan në 24 orë, rreth shtatë herë më shumë se javën e kaluar. “Delta” ka detyruar edhe shtetin me më shumë përqindje të vaksinimit, Izraelin të rivendos disa kufizime të covid 19.
 
OBSH u ka bërë thirrje vendeve të pasura të dhurojnë dozat e tyre shtesë të vaksinave kundër Covid në vendet e varfra. Ndërsa shumica e botës perëndimore ka vaksinuar më shumë se 50 përqind të popullsisë, vendet në Afrikë dhe pjesës më të madhe të Azisë kanë mungesa vaksinash.
 
BELINDA KOKA ADEMI