Maqedoni

Pr/ligji për letërnjoftime kalon në KJL, letërnjoftimet në shqip me automatizëm

13.07.2021 14:44

Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim mori pëlqimin e Komisionit Juridik Ligjvënës, në lexim të parë.....

Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim mori pëlqimin e Komisionit Juridik Ligjvënës, në lexim të parë. Me ndryshimet parashihet harmonizimi i këtij ligji me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe me Kushtetutën. Përkatësisht, me ndryshimet e reja qytetarët shqiptarë në mënyrë të vetvetishme do të marrin letërnjoftime edhe në gjuhën shqipe, ndërsa qytetarët e bashkësive më të vogla, do të marrin letërnjoftime edhe në gjuhën që flasin vetëm nëse e kërkojnë një gjë të tillë.
 
Sipas Qeverisë, e cila është propozuese e pr/ligjit, me këto ndryshime tentohet zgjerimi i mundësive të bashkësive etnike në procesin e marrjes së letërnjoftimeve, në kontekst të përdorimit të gjuhës amtare. Ndryshimet në ligj nuk kanë komplikime finansiare. 
 
Ndryshimi tjetër i propozuar është që në letërnjoftimet e reja të qëndrojë emri kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa letërnjoftimet e vlefshme me emrin e vjetër do të kenë afat deri më 12 shkurt të vitit 2024, konformë nenit 10 të Marrëveshjes së Prespës.
 
Në letërnjoftime nuk do të qëndrojë përkatësia etnike, siç propozonte Lëvizja BESA, partenere në koalicionin qeverisës. Në fakt, Lëvizja Besa, gjatë vitit të kaluar, futi në procedurë parlamentare propozim ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftime, me të cilin parashihte shënimin e përkatësisë etnike në letërnjoftim. Propozimi u përkrah në parim edhe nga kryeministri Zoran Zaev edhe nga opozita e kryesuar nga VMRO DPMNE, por u bllokua nga dy deputetët e partisë “E Majta”, me rreth 1500 amendamente. Idea nuk gjeti përkrahje as nga zyra e BE-së në Shkup.     
 
SHPËTIM NUREDINI