Ulja e TVSH-së për rrymën, deri ne miratim faturat mbesin me çmim të njëjtë

13.07.2021 17:22

Ligji per uljen e TVSH-se prej 18 në 5%....

Ligji  per uljen e TVSH-se prej 18 në 5%,  akoma po qëndron pezull dhe pret dritën jeshile nga ana e deputetëve në Kuvend.

Kjo nënkupton që qytetarët e vendit  deri në miratimin e ligjit dhe hyrjes në fuqi të tij me publikimin në gazetën zyrtare,  janë të detyruar të paguajne faturat e energjisë elektrike konform vendimit të fundit nga ana e Komisionit Rregullator  të Energjetikës, sipas të cilit parashihet që faturat të jenë më të larta për 12 .3% me TVSH prej 18 %.

Ministri i Fiancave Fatmir Besimi  apeloi për mirëkuptim nga ana e deputetëve që ky propozim të kalojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Derisa ligji të mos kalojë në Kuvend, derisa të mos votohet dhe nuk publikohet në Gazetën Zyrtare, do të vlejë zgjidhja aktuale ligjore, më saktë TVSH-ja prej 18%, për këtë vazhdimisht apelojmë të ketë kuptim dhe me diskutim sa më shpejtë të kalojë e tërë kjo në Kuvend” – tha Ministri i Financave, Fatmir Besimi. 

Deri në miratimin e ndryshimeve ligjore, kompania  EVN është e obliguar të rrespektojë rregulloren.

Zgjidhja për këtë çështje mbetet në duart e 120 deputetëve. Ndryshimet në ligjin për TVSH javën e kaluar kaluan në debat në komision.

Tani pritet të vendoset në rend dite në seancë plenare, eventualisht më 17 ose 22 korrik. Premtimi i Qeverisë ishte se TVSH-ja do të ulet në korrik kur u shtrenjtua energjia elektrike, në mënyrë që qytetarët të mos marrin fatura më të shtrenjta. (Fitim Kryeziu, TVM2)