Dy të vdekur dhe 1500 të helmuar, shpallet gjendja e emergjencës në Deçan
Në mbi 1500 ka shkuar numri i qytetarëve në Deçan...

Në mbi 1500 ka shkuar numri i qytetarëve në Deçan, që kanë kërkuar trajtim mjekësor nën dyshimet për helmim.Prej tyre, 900 kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa mbi 24 janë referuar në Spitalin e Pejës për hospitalizim.
Dyshimet e para ishin se u helmuan nga uji për pije por analizat e para kimike dhe bakterologjike nuk vërtetojnë diçka të tillë.
Është raportuar për vdekjen e dy qytetarëve të kësaj komunë, të cilët dyshohen që janë helmuar.
Edhe pse Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan ka thënë se rastet s'kanë të bëjnë me helmimin, Prokuroria Themelore në Pejë ka urdhëruar që të bëhet obduksion i dy të vdekurve, dhe është në pritje të rezultateve.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare tregon se gjendja e pacientëve të tjerë në përgjithësi është stabile. Por, shton se gjatë kësaj periudhe janë përballur me mungesë të barnave nga lista esenciale.
Si rrjedhojë, kjo komunë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, për çka është kërkuar edhe ndihma e nivelit qendror.
