Maqedoni
IN MEMORIAM, ndërroi jetë gazetari dhe shkrimtari Mustafa Spahiu
14.07.2021 13:26
Ka ndërruar sot jetë, në moshën 73 vjecare, gazetari dhe shkrimtari i mirnjohur, Mustafa Spahiu....

Ka ndërruar sot jetë, në moshën 73 vjecare, gazetari dhe shkrimtari i mirnjohur, Mustafa Spahiu.
Mustafa Spahiu u lind me 5 prill 1948 në Muçivërcë të Gjilanit. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. Me pas kreu Akademinë Pedagogjike në Shkup. Ai ndoqi studimet në Fakultetin Filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe. Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në "Flaka për fëmijët tanë".
Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi – Programi në Gjuhën Shqipe ku për 25 vjet me drejtoi me sukses emisionin për fëmijë "Lule më lule" dhe mbi 14 vjet emisionin letrar "Tingulli i artë i fjalës". Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë vendit. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit , ia akordoi mirënjohjen më të lartë për ” Vepër jetësore”.
Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve "Pushkin" në Tetovë u nderua me çmim të parë. Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave dhe nga shqipja në këto gjuhë. Ai ishte anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë dhe Shoqatës së shkrimtarëve në RMV , ishte anëtar i Klubit të shkrimtarëve "Konstandin Kristoforidhi" të Elbasanit, qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe Mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit. Pas 41 vjet shtazh pune u pensionua por pa e ndaluar veprimtarinë krijuese .
TVM 2 i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e thellë.
