Maqedoni

ESSH vazhdon përgatitjet për regjistrimin, do të shpallet konkurs për mbi 5 mijë regjistrues

14.07.2021 14:14

Nga 5 deri më 30 shtator duhet të kryhet operacioni më i madh statistikor në vend, Regjistrimi i popullsisë.....

Nga 5 deri më 30 shtator duhet të kryhet operacioni më i madh statistikor në vend, Regjistrimi i popullsisë. Në prag të tij, Enti Shtetëror i Statistikës, më 20 korrik  shpall konkursin për 5.055 regjistrues rajonalë dhe 508 instruktorë rajonalë për 50 zonat e regjistrimit. Aplikimi bëhet përmes aplikacionit që do të vendoset në faqen e internetit Popis2021.stat.gov.mk.  Nga qeveria sigurojnë se regjistrimi do të kryhet sipas të gjitha standardeve europiane.
 
“Procesi i testimit dhe shpallja e listave përfundimtare të kandidatëve të zgjedhur pritet të përfundojë deri më 15 gusht. Regjistrimi në muajin shtator do të realizohet sipas standardeve më të larta statistikore. Qeveria është e bindur se çdo palë  e interesuar  dhe qytetarët e  kanë kuptuar rëndësinë e këtij operacioni sigurisht kur vendi ka një ligj modern dhe metodologji e cila garanton se numërimi i popullsisë do të bëhet sipas statistikave më të larta.”, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.
 
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte: Të jenë shtetas të RMV-së, të mos jenë të punësuar, të kenë përfunduar të paktën arsimin e mesëm dhe të kenë aftësi kompjuterike. Dokumentet mund të dorëzohen paraprakisht me postë në Entin Shtetëror të Statistikave, ose kandidatët mund  t'i sjellin ato ditën e testimit të planifikuar në komisionet e regjistrimit. ESSH  fton të gjitha palët e interesuara ,  që i përmbushin kushtet e kërkuara,  të aplikojnë në Konkurs, duke kontribuar kështu  në zbatimin me sukses të procesit të Regjistrimit. 
 
GAZMEND REXHEPI