Sa kushton “Dita e drurit”?
Mbjellja e drunjve të rinj është një ndihmë shtesë për ruajtjen e ambientit jetësor. Por, sa prej drunjve, të mbjellë sot, kanë shans të mbijnë deri në pranverë. TVM 2 pyeti ekspertët.......

“Kemi paraparë 1900 drunj të cilët janë prej drurit halor, drunj gjetherënës dhe gjethembajtës. Këtu është një përqindje e lartë që të zënë, prandaj e kanë zgjedhur këtë kohë ku lagështia e ajrit dhe lagështia e tokës janë të përshtatshme. Është një etapë e përshtatshme për drunj të njëjtë edhe në pranverë e kemi “Ditën e drurit” dhe në vjeshtën e vonë”- deklaroi inxhinieri në Ndërmarrjen “Parqe dhe Gjelbërim”, Zylkyf Topojani.
“Dominojnë shumë faktorë klimatik, duke filluar nga temperaturat, lagështia dhe punimi i tokës. Gjatë kohës së dimrit është koha e fjetjes, kur vjen pranvera temperaturat rriten mbi 14-16 gradë celsius dhe fillon procesi i fotosintezës”- tha eksperti i bujqësisë, Liri Delishi.
Ekspertët janë optimist se drunjtë e rinj do të mbijnë. Por, me gjithë klimën dhe kushtet e përshtatshme për mbjelljen e drunjve, nuk dihet përse nuk po shihen rezultatet e miliona fidanëve të mbjellë në aksionin e “Ditës së drurit” gjatë gjithë këtyre viteve.
Gjatë gjithë ditës, sot u munduam të pyesim autoritetet se sa kushton ky aksion, por nuk morëm përgjigje të saktë. Pak më i kuptueshëm ishte ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, i cili thotë se aksioni i sivjetmë kushton më shumë.
“Lartësia ose madhësia e fidanëve, sipas informacioneve që ne si qeveri i kemi marrë nga Ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë”, këtë vit dallojnë prej atyre që janë mbjellë viteve paraprake dhe si rezultat i kësaj, realizimi i këtij aksioni do të ketë shpenzime ose kosto më të lartë”- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Sado e lartë të jetë kostoja e këtij projekti, askush nuk do të ankohej nëse fidanët do të mbinin në pranverë. Por, përderisa nuk analizohet kjo pjesë dhe të gjithë merren vetëm me shifrat e atyre që mbillen, mbetet dyshimi.
Vallë “Dita e drurit” vërtetë do ta gjelbërojë Maqedoninë apo është vetëm ditë kur të gjithë dalin para kamerave me lopatë e një degë në dorë, për të treguar se kujdesen për natyrën. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
