Maqedoni

LSDM: Kemi stafin dhe programin më të mirë

14.07.2021 15:15

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev publikoi emrat e 30-të kandidatëve me të cilët do të garojë në zgjedhjet e vendore të tetorit....

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev publikoi emrat e 30-të kandidatëve me të cilët do të garojë në zgjedhjet e vendore të tetorit. Përzgjedhja e tyre është bërë në bazë të sondazheve që ka zhvilluar partia duke përfshi opinionin e qytetarëve, analiza dhe hulumtim dhe  konsultime me anëtarësinë e partisë tha Zaev. 
 
“LSDM, së bashku me qytetarët, krijon personelin dhe ofertën më të mirë programore. Kur bie fjala për më të mirët, 630 kandidatura për kryetarë të bashkive dhe 5,000 kandidatë për këshilltarë u paraqitën në LSDM, përmes mundësisë së vetëkandidimit, por edhe në procedurat brenda partisë. Interesi i madh është dëshmi se politikat dhe puna e LSDM-së njihet nga qytetarët dhe është një tregues tjetër se ne jemi me të vërtetë favoritë në zgjedhjet lokale.”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
 
VMRO-DPMNE: LSDM me kandidatë të konsumuar
 
Por nga VMRO-DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar LSDM-në se për zgjedhjet e ardhshme vendore ka vndosur të garojë me stafin e vjetër të konsumuar, që sipas tyre nuk ofron asgjë të re. 
 
“LSDM-ja ka treguar se nuk ka asnjë plan, as vizion dhe nuk di se si. Ata e dinë vetëm krimin, reketimin dhe dhunën. Dje, LSDM si kandidatë për kryetarë bashkish nxori stafin e vjetër dhe të lodhur për të shpëtuar krimin. Nuk ka fytyra të reja, nuk ka të papritura. LSDM po hyn në një fazë ku është e qartë për ta se ata do të humbasin. Dhe asnjë person serioz nuk pranon të jetë kandidat.”, tha Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
Për qytetin e Shkupit LSDM do të kandidojë sërish Petre Shilegov për një mandat të dytë. Sipas VMRO-DPMNE-së  Shilegov për katër vitet e fundit ka treguar vetëm gënjeshtra, kiç dhe paradë, ai nuk ka bërë asgjë. Për një mandate të dytë kandidon edhe kryetarja aktuale e Haraçinës, Milikije Alimi.
 
NAIM RAMADANI