Maqedoni
Pr/ligji për shtetësi, Hoxha: Do dorëzohet me simbolin e BE-së
14.07.2021 16:00
Pr/Ligji për shtetësinë do të futet në procedurë parlamentare me simbolin e Bashkimit Evropian....

Pr/Ligji për shtetësinë do të futet në procedurë parlamentare me simbolin e Bashkimit Evropian. Kjo është zgjidhja alternative e opozitës shqiptare ASH-Alternativa dhe e Qeverisë për të zhbllokuar projektligjin për shtetësi që kishte bllokuar “E Majta” me qindra amendamente ndërsa VMRO DPMNE me procedurale. Propozim teksti i harmonizuar pritet të futet në procedurë parlamentare brenda kësaj jave.
“Duke patur parasysh se në propozim ndryshimin e ligjit janë inkorporuar dispozita nga rregullorja e BE-së, për këtë arsye Qeveria do të dorëzojë në Kuvend për miratim ligjin në fjalë me flamur evropian. Ju informojmë se përpunimi teknik nga ana e disa institucioneve kompetente është duke u zhvilluar dhe pas përfundimit të procedurave teknike ai do të dorëzohet në Parlamentin e RMV-së.”, tha Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Mucunski: Qeveria keqpërdor simbolin e BE-së
Qeveria po keqpërdor simbolin e BE-së, akuzon opozita e kryesuar nga VMRO DPMNE. Sipas VMRO DPMNE-së, ekzekutivi e ka shndërruar në praktikë përdorimin e simbolit të BE-së edhe kur ligjet skanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së.
“Absolutisht është e qartë kur shfrytëzohet simboli i BE-së. dhe ajo është aproksimacion i legjislacionit të BE-së, përkatësisht i regullativave dhe direktivave të BE-së në legjislacionin tonë nacional. Kjo u bë praktikë për Qeverinë tonë. Fillimisht për ligjin për shërbimet e zbulimit, ligji për arsim, parlajmërimi për të ashtuquajturën taksë ekologjike dhe tani me këtë ligj. Ky është keqpërdorim potencial me simbolin e BE-së.”, tha Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.
Opozita shqiptare kumtoi se, në marrëveshje me qeverinë, për të tejkaluar dallimet rreth propozimit të parë dhe pas pengesave që ndodhën nga opozita maqedonase në Kuvend kanë zgjedhë si alternativë që ligji të miratohet si propozim i qeverisë me flamur evropian. ASH-Alternativa presin që ligji të jetë në rend dite në seancën e parë të rradhës së plenumit, të planifikuar për më 15 korrik.
SHPËTIM NUREDINI
