OI “Shpresa”: Askush nuk mendon për karrigen e dentistit
Njerëzit mbi karrocën e invalidit kanë një problem për të cilin askush nuk mendon....

Një problem shumë i thjeshtë madje edhe qesharak ndoshta për të tjerët, por që për ta po kthehet në një pengesë të vërtetë.
Mungesa e karrigeve të veçanta për t’u ulur tek dentisti. Këtë problem e ngre Organizata e Invalidëve “Shpresa”, sipas të cilës, ka lehtësime ligjore për këtë kategori qytetarësh, por nuk janë të mjaftueshme dhe gjithëpërfshirëse për nevojat e shumta që ata kanë.
“Shumica prej anëtarëve tanë, që janë me karroca ose me hendikep mendor, nuk janë në gjendje të shkojnë te dentisti, për shkak se ata nuk janë në gjendje dhe nuk e dinë se si t’i ulin dhe kontrollojnë këta persona për t’i rregulluar dhëmbët e tyre. Kjo ditë, sipas nesh, duhet të jetë ditë për raport, ku të gjitha institucionet dhe të gjitha organizatat e kësaj kategorie bashkërisht do të japin raport për aktivitetet që kanë bërë lidhur me çështjet për tërë vitin, e jo më 3 dhjetor të bëhet një aktivitet dhe pastaj aktiviteti tjetër deri në 3 dhjetorin tjetër. Prandaj, kjo ditë duhet të jetë dita kur ne do t’i tregojmë rezultatet se çfarë kemi arritur dhe çfarë aktivitete kemi ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes jetësore të këtyre personave”- deklaroi nënkryetari i SHI “Shpresa”, Blerim Rexhepi. (Rexhep Qamili, TVM2)
