Maqedoni

Interpelanca ndaj kryearlamentarit: Nuk përputhet me rregulloren, Xhaferi e kthen; E majta: padi ndaj Xhaferit, keqpërdor detyrën zyrtare

14.07.2021 18:23

E akuzuan se shkeli Kushtetutën duke folur shqip në PE madje edhe se në shumë raste ka shkelur Rregulloren e Kuvendit...

E akuzuan se shkeli Kushtetutën duke folur shqip në PE madje edhe se në shumë raste ka shkelur Rregulloren e Kuvendit, por kryeparlamentari Xhaferi u mbështet pikërisht në rregulloren e Kuvendit për t’i kthyer opozitës mbrapsht interpelancën e ngritur kundër tij
 
Në kërkesën për interpelancë, VMRO-DPMNE dhe e Majta, nuk kanë përdorur emrin kushtetues të vendit dhe Xhaferi ka vlerësuar se përmbajtja e interpelancës nuk është në përputhshmëri me nenin 136 të Rregullores.
 
E sipas këtij neni, “Nëse projektligji nuk është përgatitur në përputhje me dispozitat e kësaj Rregulloreje, Kryetari i Kuvendit, përpara se t’ia paraqesë deputetëve, do t’i kërkojë propozuesit që ta harmonizojë atë me dispozitat e së njejtës.  Nëse propozuesi nuk ndryshon projektligjin brenda 15 ditëve nga kjo kërkesë, konsiderohet se projektligji nuk është paraqitur”.
 
Nëse opozita korrigjon dhe kthen në mënyrë të regullt kërkesën për interpelancë , ajo  mund të shqyrtohet në njërën nga seancat e shtatorit. Pas këtij veprimi, e Majta thotë se  do ta padisë kryetarin e Kuvendit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas tyre, Xhaferi i shmanget ballafaqimit me deputetët. Me këto veprime Xhaferi çdo ditë e shkel Kushtetutën dhe ligjet.
 
Të drejtat e deputetëve, posaçërisht tonat si E Majtë çdo ditë shkurtohen dhe kjo paraqet vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe për këtë do të iniciojmë padi penale ndaj tij.  Afati për plotësimin dhe rregullimin e saj është 15 ditë, pavarësisht se neve mund ta përgatisim për një ditë. Mendoj se mundësia  që kjo interpelancë të gjendet në seancën e 22 korrikut është djegur,  deklaroi deputeti i partisë E Majta- Borisllav Kërmov.