Maqedoni
Predan: Vullnet politik dhe pragmatizëm nga palët
15.07.2021 15:21
Sllovenia do të vazhdojë me ndërmjetësimin për të gjetur një zgjidhje e cila do ta shmangte bllokimin për çeljen e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së....

Sllovenia do të vazhdojë me ndërmjetësimin për të gjetur një zgjidhje e cila do ta shmangte bllokimin për çeljen e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së theksoi midis tjerash ambasadori slloven Milan Predan gjatë prezantimit të programit dhe prioriteteve nga presidenca sllovene me Këshillin e BE-së.
“Nevojitet vullnet politik dhe pragmatizëm nga dy palët. Nuk mund të premtojmë çudira por mund të premtojmë punë të palodhshme dhe diplomaci të qetë. Mbështetemi në dy palët që pa emocione të arrihet një zgjidhje.”, tha Milan Predan, ambasador i Sllovenisë .
Geer: Perspektiva evropiane nuk është humbur
BE është e vetëdijshme për zhgënjimin për shkak të mos çeljes së negociatave në qershor por vazhdon me mbështetjen dhe beson që sa më shpejt të miratohet vendim për hapjen e kapitujve theksoi euroambasadori David Geer.
“Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk është humbur dhe nuk kemi hamendje, liderët e kanë përsëritur se duhet që së bashku të punojmë që t’i zgjidhim çështjet e hapura, të fillojmë negociatat sa është e mundur më shpejt.”, tha David Geer, ambasador i BE-së.
Osmani: Nevojitet riafirmim i perspektivës evropiane
Marrja e udhëheqësisë me Këshillin e BE-së, nga ana e Sllovenisë sipas shefit të diplomacisë Bujar Osmani vjen në një moment mjaftë të rëndësishëm për vetë BE-në, e cila vazhdon të ballafaqohet me sfida të shumta, mes të cilave edhe me ngecjen e politikës së zgjerimit dhe nevojës për riafirmimin e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nga ana e BE-së nevojiten sinjale më të qarta drejt rajonit pasi tashmë ka shenja të regresit dhe pasojave negative ndaj kohezionit rajonal si rezultat i drejtpërdrejtë i rënies besueshmërisë së procesit. Në këtë drejtim është e nevojshme të reagohet menjëherë dhe me urgjencë dhe kjo paraqet obligim të njejtë si për vendet e Ballkanit Perëndimorë ashtu edhe për BE-në.”, tha Bujar Osmani, ministër i jashtëm i RMV-së.
Sllovenia në kuadër të prioriteteve të saj do t’i kyçë vendet e rajonit për tu rikuperuar nga pandemia, dijalogun për ardhërinë evropiane, agjendën e gjelbër, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurinë.
NAIM RAMADANI
