Maqedoni

Qeveria dorëzoi në Kuvend pr/ligjin për shtetësi, Dauti: Ta miratojmë para pushimit kolektiv

15.07.2021 15:51

Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shtetësi arriti në Kuvendin Republikan me simbolin e BE-së...

Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shtetësi arriti në Kuvendin Republikan me simbolin e BE-së. Opozita shqiptare kërkon që propozimi ligji të vihet në seancë plenare sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim kolektiv. 
 
“Ligji ka arritur në Kuvend dhe pritet që të futet në rend dite në njërën nga seancat e ardhshme. Është qëllim dhe një nga synimet kryesore tona që ligji të miratohet para se të kalohet në pushim vjetor.”, tha Ilire Dauti, deputete e ASH-së.
 
Kërmov: Fillojmë me bllokim total të Kuvendit  
 
Mirëpo “E Majta”, e cila kishte bllokuar në procedurë parlamentare projekt/ligjin për shtetësi të propozuar nga opozita shqiptare, tani, pasi Qeveria e dorëzoi pr/ligjin me simbolin e BE-së, paralajmëroi bllokimin e të gjitha pr/ligjeve të propozuara nga qeveria por edhe padi penale për kryeministrin dhe presidentin nëse e dekreton atë.
 
“Për shkak se kjo Qeveri e njeh vetëm gjuhën e dhunës, ne nga sot fillojmë me bllokadën totale të çdo ligji në Kuvend, i cili propozohet nga shumica dhe Qeveria. Pra paralizë totale të Kuvendit.”, tha Borisllav Kërmov, Deputet i partisë E Majta.
 
Edhe koalicioni opozitar i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja konsidron se vendosja e yllit evropian në këtë propozim ligj paraqet keqpërdorim të procedurave parlamentare.
 
Ligjet që dorëzohen me simbolin e BE-së shqyrtohen në Komisionin për Çështje Evropiane dhe debati është i kufizuar. Kjo ishte zgjidhja alternative për miratimin e këtij ligji pas pengesave procedurale që sajoi opozita maqedonase.
 
SHPËTIM NUREDINI