Maqedoni

Vajgëll dhe Hovit për vizitë në Maqedoni

04.12.2014 14:44

Deputeti në Parlamentin evropian dhe ish-raportuesi për Maqedoninë, Riçard Hovit...

Deputeti në Parlamentin evropian dhe ish-raportuesi për Maqedoninë, Riçard Hovit, sot në Shkup do të mbajë ligjëratë, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve qeveritare, të shoqërisë civile, si dhe nga ambasadat e anëtareve të BE-së.
 
Pas ligjëratës, Hovit do të mbajë konferencë të përbashkët për shtyp me Ivo Vajgëll, i cili është raportues i ri për Maqedoninë në Parlamentin evropian. 
 
Riçard Hovit, dje u takua me kryeministrin, Nikolla Gruevski, me të cilin, siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, e vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur angazhime për vazhdimin e komunikimit në tema të interesit të përbashkët. 
 
Kryeministri Gruevski, i shprehi falënderim eurodeputetit Hovit për angazhimin e tij të deritanishëm dhe kontributin në zbatimin e reformave dhe përparimin e Republikës së Maqedonisë drejt BE-së.
 
Kryeministri dha edhe vlerësim pozitiv për mbështetjen të cilën PE-ja vazhdimisht ia mundëson Republikës së Maqedonisë në procesin e avancimit të gjendjeve dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
 
Dy bashkëbiseduesit folën edhe për planin qeveritar të aksionit për reformat e ardhshme, që është përgatitur në pajtim me rekomandimet e Komisionit evropian.
 
Hovit, theksoi se edhe në periudhën në vijim, si edhe deri më tani, në kuadër të angazhimeve të veta do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë në procesin e arritjeve të standardeve evropiane dhe euroatlantike.