Botë
Përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë, 93 numri i viktimave, 1500 të zhdukur
16.07.2021 11:24
Qytete dhe fshatra të tëra kanë mbetur të shkatërruara pasi reshjet e paprecedentë të shiut bënë që lumenjtë të dilnin nga shtretërit në Gjermani....

Qytete dhe fshatra të tëra kanë mbetur të shkatërruara pasi reshjet e paprecedentë të shiut bënë që lumenjtë të dilnin nga shtretërit në Gjermani. Rrjetet e telefonave celularë dhe lidhjet e internetit janë mbuluar nga uji, duke penguar përpjekjet e kërkimit për të zhdukurit. Rreth 135 mijë banorë në Rajna-Vestfalinë Veriore kanë mbetur pa energji elektrike. Meteorologët kanë lajme jo të mira. Rreshje të shiut në pjesën jug perëndimore të Gjermanisë, do të ketë deri të premten në mbrëmje. Në Aherviler, ka ende 1,300 njerëz të pagjetur. Kancelarja Merkel, nga Uashingtoni ku gjendet në vizitë zyrtare, premtoi ndihmë për rindërtimin e zonave të shkatërruara.
“Qindra mijëra njerëz panë jetën e tyre të përditshme të shndërrohej papritur në një zonë katastrofe. Shtëpitë e tyre u kthyen në kurthe vdekjeprurëse dhe kam frikë se do të shohim shkallën e dëmit vetëm në ditët në vijim. Unë mund t'u them njerëzve në Gjermani se ne nuk do t'ju lëmë vetëm në këtë moment shumë të vështirë dhe të tmerrshëm. Ne do të ndihmojmë me rindërtimin.”,- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Belgjika dhe Holanda janë prekur gjithashtu keq, ndërsa përmbytje ka edhe në Luksemburg dhe Zvicër. Autoritetet belge kanë raportuar për së paku 11 persona të vdekur dhe për shumë të zhdukur.
“Gruaja ime po kërkon nënën e saj që jeton në anën tjetër të Vesdres. Nuk kemi asnjë mënyrë komunikimi. Nuk e dimë a ka arritur të evakuohet.”,- u shpreh një qytetare.
Një digë afër kufirit gjerman me Belgjikën u përmbyt brenda natës dhe një tjetër është e paqëndrueshme. Reshjet kanë shkaktuar vërshime edhe në province jugore holandeze Limburg, derisa rritet rreziku për vërshime edhe në Zvicër. Me vërshime po përballen edhe një pjesë e Turqisë, prej ku njoftohet për shtëpi të dëmtuara.
BELINDA KOKA ADEMI
