Botë
Këshilli i Sigurimit i OKB-së debaton për Kosovën
04.12.2014 14:46
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, sot debaton për zhvillimet në Kosovë...

Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, për periudhën prej 16 korrikut e deri më 15 tetor të vitit 2014, që është publikuar në faqen e internetit të OKB-së, theksohet se “zhvillimet kryesore politike ndërlidhen me dështimin për krijimin e Parlamentit të ri të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare më 8 qershor 2014”.
Në këtë kuadër, Ban thekson se “është veçanërisht i shqetësuar për bllokadën e zgjatur politike në Prishtinë dhe ndikimin negativ të saj në progresin e arritur deri tash në forcimin e institucioneve demokratike dhe të proceseve në Kosovë”.
Më tutje, Ban shprehet se “kërkon fuqishëm nga të gjitha entitetet politike të Kosovës, e veçanërisht nga liderët e tyre, t’i intensifikojnë përpjekjet për ndërtim në suksesin e zgjedhjeve të 8 qershorit dhe të sigurojnë se rruga pa krye aktuale po kapërcehet”.
Raportohet se në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi. Pjesëmarrjen e tij e kishte paralajmëruar edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
