Maqedoni

Ligji për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10, presidenti Pendarovski nënshkroi dekretin

16.07.2021 15:56

Presidenti, Stevo Pendarovski, ka nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për përcaktimin e interesit publik...

Presidenti, Stevo Pendarovski, ka nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjike për zbatimin e projektit për ndërtimin e korridorit 8 dhe korridorit 10.  
 
“Ligji është miratuar me shumicën e nevojshme, me çka asnjë deputet apo grup parlamentar nuk ka votuar kundër. Të gjitha institucionet dhe individët që kanë dyshime në lidhje me kushtetueshmërinë e Ligjit, mund të drejtohen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është institucioni i vetëm kompetent për vlerësim të kushtetueshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera të përgjithshme”,- thuhet në kumtesën e dërguar nga kabineti i presidentit.
 
Ivanovska: Ligji pezullon sistemin juridik
 
Miratimi i ligjit sipas KSHPK-së përbën një faktor të lartë të rrezikut për korrupsion dhe konflikt me interes dhe në thelb pezullon sistemin juridik. Duke shprehur mendimin e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, tha ligji i miratuar dhe zbatimi i dispozitave të ligjit në praktikë nënkupton shkelje të parimeve mbi të cilat bazohet lufta kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
 
“Me miratimin e këtij ligji, ndër të tjera, shkelet e drejta me Kushtetutë për lirinë e tregut dhe sipërmarrjen dhe detyrimin e shtetit për të siguruar pozitë të barabartë juridike të të gjitha subjekteve të tregut dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me detyrimin të shtetit për të marrë masa kundër pozitës monopole dhe sjelljes së tregut. Me miratimin e këtij ligji Kuvendi i RMV-së vepron në kundërshtim me dispozitën kushtetuese e cila tregon se në cilin rast mund të kufizohet me ligj liria e cekur përkatësisht në përputhje me nenin 55 të kushtetutës liria e tregut dhe sipërmarrjes mund të kufizohet me ligj vetëm në rast të mbrojtjes së shtetit, natyrës, mjedisit jetësorë dhe shëndetit të njerëzve.”,- tha kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska.
 
Ligjin që u miratua të enjten në Kuvend, është realizim konkret i Memorandumit që  nënshkroi Qeveria me kompaninë “Behtel Enka” si një investitor strategjik për ndërtimin e autostradave Tetovë-Gostivar, Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep - Manastir. Ai parashikon ndërtimin për herë të parë përmes një modeli të ri pa shpallur një tender, për të cilin qeveria siguron se do të japë rezultatet më të shpejta dhe më optimale në ndërtimin e rrjetit rrugor.
 
NAIM RAMADANI