Maqedoni
Ligji për Shtetësi, VMRO-DPMNE: Të shohim procedurën e propozim ligjit
16.07.2021 16:15
Opozita maqedonase, ku më e zëshme në këtë periudhë është partia E majta.....

Opozita maqedonase, ku më e zëshme në këtë periudhë është partia “E majta”, kundërshton propozim-Ligjin për shtetësi të propozuar me yll evropian nga Qeveria. VMRO-DPMNE pret ta shohë tekstin e ligjit e më pas do të vendosë nëse do t’i japë mbështetje të njëjtit.
“Si fillim do ta shohim procedurën e propozim-Ligjit për shtetësi. Do të presim nga transparenca e ashtuquajtur e LSDM-së dhe gatishmëria e tyre për debat gjithëpërfshirës. Ata thonë se për një ligj përmbajtjesor nuk do të keqpërdoret ylli evropian. VMRO-DPMNE-ja është gjithmonë e hapur për çështje të rëndësishme dhe për debat.”,- deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska.
LSDM: Do të miratohet, pavarësisht bojkotit të opozitës
LSDM thotë se ligji do të miratohet. Akuzojnë opozitën se kur bëhet fjalë për bllokim të proceseve, veprojnë në unitet.
“Ata bashkë me VMRO-DPMNE-në bllokojnë gjithçka. Ata i ngjajnë politikanëve të shekujve të kaluar. Janë model se si nuk duhet të duket një politikan i ri. Politikanët modernë gjejnë zgjidhje, mbështesin ligje që zgjidhin probleme dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Ende nuk dihet se kur Ligji për Shtetësi do të futet në seancë plenare. Koalicioni ASH-AAA fillimisht shpresonte ai të gjendej në rend dite këtë japë, pasi u dakordua që i njëjti të miratohej me flamur europian, por kjo nuk ndodhi.
ERSAN PAJAZITI
