Kontesti mes Shkupit dhe Sofjes, Diplomacia sllovene në veprim
Sllovenia si kryesuese me Bashkimin e Evropian...

Sllovenia si kryesuese me Bashkimin e Evropian ka filluar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje mes Shkupit dhe Sofjes.
Ministri i Jashtëm slloven, Anze Logar, ftoi shtetet anëtare të mos shtyjnë më hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Lubjana mezi pret formimin e qeverisë së re në Bullgari, palë me të cilën do të bashkëbisedojë për gjetjen e zgjidhjes dhe heqjen e vetos bullgare ndaj Shkupit gjë që do të zhbllokonte edhe Tiranën.
“Mesa duket do të na duhet më shumë kohë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme sepse pas zgjedhjeve bullgare që u mbajtën me 11 Korrik duhet të shohim nëse ata mund ta krijojnë shpejt qeverinë e re. Kur ne të kemi bashkëbisedues nga pala bullgare të jeni të sigurt se Presidenca sllovene do të bëjë përpjekje maksimale për kompromis me Maqedoninë e Veriut. Në përputhje me konkluzionet e Këshillit Europian të Marsit 2020 ne jemi të përkushtuar për të vijuar punën që duhet për të hapur edhe formalisht negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur.”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar.
Marrë parasysh interesin gjeopolitik të Unionit, ministër i jashtëm slloven, Anze Logar, ftoi vendet anëtare që të jenë më vigjilente dhe të mos lejojnë pezullimin e mëtejshëm të zgjerimit me shtetet ballkanike.
Rreziku nga ndikimi i aktorëve të tjerë globale për të zënë vendin e saj në rajon janë të dukshme, konsideron Logar. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
