Inspektorati i Tregut, 8 mijë inspektime, 42 kompani me punonjës të palajmëruar
Inspektorati i Tregut ka realizuar mbi 8 mijë inspektime....

Inspektorati i Tregut ka realizuar mbi 8 mijë inspektime në gjysmën e parë të këtij viti.
Në 42 kompani kanë hasur në të punësuar të palajmëruar. Kompanitë të cilat kanë vepruar në këtë mënyrë janë gjobitur, njoftojnë nga Inspektorati i Tregut. Në gjendje më të rëndë janë sektori i ndërtimtarisë dhe gastronomisë.
“Ligjet patjetër duhet të respektohen. Të drejtat e punëtorëve duhet të respektohen plotësisht. Askush nuk guxon të përjashtohet nga përgjegjësia në qoftë se konstatohet shkelje e ligjit.”,- tha Jovana Trencevska nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Ekonomia gri, sindikatat ankohen për shkelje të të drejtave
Ekonomia gri shkakton dhe pasoja tek të punësuarit, paralajmërojnë nga Lidhja e Sindikatave.
“Të punësuarit në ekonominë gri nuk mund t’i shfrytëzojnë të drejtat e punëtorëve në përputhje me ligjin. Ata fitojnë më pak nga sektori formal dhe kanë të ardhura jostabile dhe nuk kanë qasje tek fondet e detyrueshme sociale.”,- theksoi kryetari i Sindikatave, Darko Dimovski.
Ligji është i qartë dhe nuk ka përjashtime edhe për punëtorët sezonal. Nga Lidhja e Sindikatave paralajmërojnë futjen në sistem të punëtorëve sezonal, nëpërmjet kuponëve që do të mbulojnë kontributet dhe TVSh-në.
“Vauçerët jepen në bazë ditore dhe vlera e tyre do të përfshijë dhe tatimin personal dhe kontributet. Vetë i punësuari do të vendosë se për çfarë periudhe kohore do ta blejë vauçerin.”,- u shpreh kryetarja e Organizatës së Punëtorëve, Vladanka Trajkovska.
Ministria e Ekonomisë: Ligji për Marrëdhënie Pune, pranë përfundimit
Nga Ministria e resorit njoftojnë se në përfundim është Ligji për Marrëdhënie Pune, i cili parasheh siguri më të lartë për punëtorët.
“Ligji i ri për marrëdhënie pune parasheh zgjidhje ligjore për mënjanimin e gjithë këtyre problemeve dhe që do të ndikojë në rregullimin e marrëdhënieve në mes të punësuarve dhe punëdhënësve.”,- theksoi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpanska.
16 për qind e punëtorëve punojnë në mënyrë ilegale, por nga Sindikata thonë se vitet e fundit është konstatuar përmirësim. (Gyltene Sinani, TVM2)
