Kosovë, 11 raste të reja me Covid-19

16.07.2021 18:31

Njëmbëdhjetë raste të reja me COVID-19....

Njëmbëdhjetë raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar këtë të premte në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se rastet pozitive janë zbuluar nga kryerja e 1 366 testeve të dyshuara.

Prej ditësh në Kosovë nuk është regjistruar asnjë humbje jete, ndërsa numri i të shëruarve deri tani ka shkuar në 105,531.

Ministria pohon se në tërë Kosovën janë aktualisht 99 raste aktive, kurse 2264 qytetarë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Deri tani në të gjitha qytetet e Kosovës janë injektuar 305.991 doza vaksinash. Bazuar në konsultat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, qeveria e Kosovës ka marrë vendim të lehtësojë masat kufizuese të COVID-19.

Ky vendim i qeverisë është përshëndetur nga subjektet tregtare dhe ato të gastronomisë pasi sipas tyre kjo u jep mundësi të gjenerojnë më tepër përfitime financiare.