Botë
Policia e Kosovës nuk e lejon Odalloviqin të hyjë në Kosovë
18.07.2021 19:07
Delegacionit serb i udhëhequr nga kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Veljko Odalloviq...

Delegacionit serb i udhëhequr nga kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Veljko Odalloviq, nuk iu lejua të hyjë në Kosovë mëngjesin e sotëm, një ditë para se të vazhdojë dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.
Odalloviq konfirmoi për mediat serbe se delegacioni serb ishte në vendkalimin në Jarinje rreth orës 8:00 të mëngjesit, por që pjesëtarët e policisë së Kosovës nuk i lejuan të hynin në Kosovë.
"Polici tha se unë isha i ndaluar të hyja në Kosovë. Unë kërkova një shpjegim, pas së cilës ai thirri autoritetet e tjera dhe kërkoi pëlqimin shtesë, por ai përsëri mori një përgjigje negative, pa ndonjë shpjegim", ka thënë Odalloviq.
Por Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në takimin e parë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, më 15 qershor ka kërkuar largimin e Odalloviqit nga pozita e kreut të Grupit Punues për Personat e Zhdukur në Serbi.
Kurti madje ka kërkuar që Odalloviqi të merrej në pyetje për shkak se në vitet 1997-1999 ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviq.
