BFI me mesazh urimi për Kurban Bajramin, Fetahu me thirrje për paqe e solidaritet reciprok
Tradicionalisht një ditë para festës...

Tradicionalisht një ditë para festës së madhe të Kurban Bajramit, mesazh urimi për të gjithë besimtarët e konfesionit islam dha kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu, me thirrje për paqe, solidaritet, mirëqenie dhe pajtim të ndërsjellë.
Uron besimtarët myslimanë për këtë festë të bekuar fetare. Ajo që e bën të madhe këtë ditë është kryerja e kushtit të pestë të islamit, Haxhi, si obligim fetar për çdo besimtar, si dhe kryerja e obligimit - prerja e kurbaneve nga ana e besimtarëve, kuptohet që kanë edhe mundësi materiale.
Në mesazhin e tij, kryetari i BFI-së, Fetahu, uroi të gjithë besimtarët kudo që jetojnë, që Zoti Fuqiplotë në këtë Festë të bekuar t'i pranojë lutjet, kurbanet dhe ibadetet, ta forcojë paqen në botë, ta largojë të keqen në mes njerëzve, të na dhuroj[ durim në sprovat e kësaj jete.
“Në këto ditë përfundoi zbritja e Kur'anit Famëlartë, me çka Islami mori formën e tij përfundimtare si fe dhe sistem jete, pa kufizime në kohë dhe hapësirë. Kryhet kushti i pestë islam, Haxhi, dhe gjatë ditëve të Kurban Bajramit realizohet detyra e therjes së kurbaneve që paraqet porosinë kryesore për afirmimin dhe forcimin e dinjitetit njerëzor. Festa e Kurban Bajramit është festë e gëzimit të madh sepse me aktin e therjes të kurbanit besimtari e ngrit veten lartë duke shfaqur bindjen e vërtetë në një Zot, dhe kultivon moral të lartë, mbisundon epshin dhe emocionet. Me këtë sakrificë për hirë të Zotit synojmë të mbisundojnë ndaj materialeve dhe epsheve tona. Festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancën në mes njerëzve, është festë e gëzimit të ndërsjellë, afrimit në mes njerëzve, kujdes ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit, i buzëqeshjes me të tjerët, i shërbimit ndaj të tjerëve, i gatishmërisë për vepër madhore dhe vetëdijes për të triumfuar e mira dhe e vërteta, ndaj të keqes. E gjithë kjo ka një qëllim arritjen e kënaqësisë së Krijuesit tone. Në fund, kam nderin e veçantë që në emër të Bashkësisë Fetare Islame dhe në emrin tim personal të gjithë besimtarëve të vendit dhe bashkatdhetarëve tanë kudo që jetojnë t'u shpreh urime të përzemërta duke lutur Allahun Fuqiplotë në këtë Festë të bekuar t'i pranojë lutjet tona, kurbanet tonë dhe ibadetet tona, ta forcojë paqen në botë, ta largojë të keqen në mes njerëzve, t`na dhuroi durim në sprovat e kësaj jete. Allahu na bekoftë me të mirat e Tij të pakufishme. Për shumë jetë e gëzofshi Kurban Bajramin.”,- tha kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu.
