Fokusi mbetet tek imunizimi masiv, KSI: Nuk rekomandon masa të reja
Edhe krahas rritjes së rasteve pozitive....

Edhe krahas rritjes së rasteve pozitive dhe alarmit nga varianti indian, Komisioni nuk ka rekomanduar as lehtësim dhe as ashpërsim të masave anti-Covid, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në fuqi do të vazhdojnë të jenë masat e njëjta restriktive. Nga MSH thonë se Komisioni ka konstatuar rritje të lehtë të rasteve pozitive dhe testimeve për COVID-19 në Shkup dhe Tetovë, dhe fokusi duhet të mbetet tek imunizimi i popullsisë.
Në këtë drejtim, prej sot ka filluar vaksinimi i fëmijëve të moshës prej 12 deri 17 vjeç.
Sipas të dhënave të fundit janë të paraqitur rreth 1.800 fëmijë. Fëmijët kanë ardhur për t’u vaksinuar me sugjerimet e prindërve, por edhe me pajtimin e vetë atyre.
“Me ndihmën e të dyja palëve kam vendosur që të vij të vaksinohem. Unë jam 17 vjeç, nuk di nëse shokët e mi do të vaksinohen edhe pse duhet të vijnë edhe ata për t’u vaksinuar.”,- tha një fëmijë 17 vjeç.
Filloi vaksinimi i fëmijëve 12-17 vjeç, prindërit: Adoleshentët duhet vaksinuar
Prindërit kanë qenë iniciatorët më të mëdhenj për fëmijët e tyre që të vaksinohen, ata thonë se bëhet fjalë për të mirën e shëndetit të tyre.
“Ne si familje së bashku kemi vendosur. Shohim se në rrethinë numrat janë në rritje, tani menduam që është koha e duhur për t’u vaksinuar.”,- u shpreh një prind.
“Mendoj që është e nevojshme që të vaksinohet kjo moshë, sepse këta dalin në mbrëmje nëpër diskoteka, shëtisin gjithkund. Së bashku me bashkëshorten kemi vendos që të vaksinojmë fëmijën.”,- theksoi një prind.
Në Poliklinikën “Jane Sandanski” për veç vaksinimit të fëmijëve paralelisht vazhdon edhe imunizimi i popullatës së rritur.
“Këtu vaksinojmë edhe qytetarët tjerë me “Sinovak”, “Astra Zeneca”, si dhe bëhet rivaksinimi e kështu me radhë.”,- u tha nga“Jane Sandanski”.
Covid, 9 raste të reja, 53 të shëruar e asnjë viktimë
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1973 teste dhe janë regjistruar 9 raste të reja të COVID-19. Nuk është regjistruar asnjë humbje jete, ndërsa janë shëruar gjithsej 53 pacientë. Numri i rasteve aktive është 221. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
