Maqedoni

Punëtori kushtuar fëmijëve me pengesa në zhvillim

04.12.2014 17:04

Me ndryshimin e politikave arsimore në vend, fëmijët me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në shkolla të rregullta në edukimin e përgjithshëm...

Tendenca e ditëve të sotme është kalimi nga veçimi në izolim, drejt integrimit në arsimin gjithëpërfshirës.
 
Maqedonia ka ratifikuar Konventën për të Drejtën e Personave me Invaliditet, thotë ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, sipas të cilit, vendi është i obliguar të ndërmarrë të gjitha masat me qëllim që kjo kategori të ndjehet e barabartë me qytetarët e tjerë.
 
“Ne kemi ende shumë punë për të bërë, për të krijuar kushte që ata fëmijë të ndjehen të barabartë me fëmijët e tjerë, duke filluar prej punësimit të një defektologu apo psikologu në çdo shkollë edhe pse viteve të fundit kemi realizuar disa punësime dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve kompetente dhe shoqërisë civile që merren me të drejtat e tyre”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
“Të mos fokusohemi vetëm në ligje dhe politika, por edhe në përforcimin e vetëdijes tek popullata kur bëhet fjalë për fëmijë me nevoja të veçanta, sepse edhe këta janë fëmijë që kanë të drejtat e tyre dhe këto të drejta duhet të realizohen në tërësi”- tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Razha Msefer-Berada.
 
“Me zyrën e UNICEF-it janë organizuar trajnime për infermieret kujdestare, që do të mund të bëjnë prevencë dhe detektim të hershëm të këtyre fëmijëve, sepse ata janë të parët që realizojnë kontakte përmes vizitave dhe shpresojmë se në këtë mënyrë do të sigurojmë inkluzion më të mirë të këtyre fëmijëve në shoqëri”- u shpreh drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit Publik, Tatjana Vuckovic.
 
Duhet ngritur vetëdija për t’u parandaluar diskriminimi dhe izolimi që u bëhet fëmijëve me aftësi të kufizuara, sepse ndihma për të zhvilluar aftësitë e tyre ekzistuese i shërben mbarë shoqërisë.
 
FLUTURA LATIFI