Maqedoni
Infrastruktura rrugore dhe hekurudhore pengon zhvillimin e rajonit
04.12.2014 17:33
Mungesa e infrastrukturës moderne, lidhjet rrugore dhe hekurudhore kanë ndikuar drejtpërdrejtë në zbehjen e ekonomisë në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor...

Mungesa e infrastrukturës moderne, lidhjet rrugore dhe hekurudhore kanë ndikuar drejtpërdrejtë në zbehjen e ekonomisë në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Maqedoninë.
Kështu vlerësuan sot eurokomisarja për Transport, Violeta Vulc dhe drejtori gjeneral për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Eric Paquet, në Konferencën e 10-të Ministrore për Zhvillim të Rrjetit Transportues në Evropën Juglindore.
Paquet, si zgjidhje të kësaj problematike propozon rregullimin e shërbimeve infrastrukturore dhe përpilimin e projekteve konkrete për lidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në në fushën e transportit, me qëllim të përforcimit të kapaciteteve ekonomike të këtyre vendeve.
“Lidhja në transport është prioritet i përbashkët. Nevojiten reforma, që do të ndikojnë pozitivisht në forcimin e kapaciteteve ekonomike. Rrjeti evropian është i rëndësishëm, andaj vlerësoj se lidhjet në transport duhet me çdo kusht që të përmirësohen, duke zbatuar plane afatgjate dhe afatshkurtra për zhvillimin e rrjeteve të transportit në Ballkanin Perëndimor”- deklaroi drejtori gjeneral për Zgjerim në UE, Eric Paquet.
Nga ana tjetër, ministrat e Transportit dhe Lidhjeve të Ballkanit Perëndimor shpalosën të arriturat e vendeve të tyre në fushën e transportit, ndërkaq apeluan tek vendet anëtare të BE–së dhe institucionet financiare ndërkombëtare, që të ulin kriteret e marrjes së kredive dhe të ndihmojnë me mjete shtesë.
“Ne si ministri marrim rreth 112 milionë euro nga BE-ja. Qeveria propozoi qasje të balancuar, me çka një pjesë do ta shfrytëzojmë për përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore, ndërsa gjysmën tjetër në infrastrukturën rrugore dhe sigurinë në rrugë. Apeloj te miqtë tanë në BE, të lehtësojnë kriteret e marrjes se kredive dhe të ndihmojnë me mjete më të mëdha vendet e Ballkanit Perëndimor”- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
“Kemi një rrugë të gjatë për të plotësuar kriteret në tërësi. Çdo vend që ka përfaqësues në këtë tryezë, ka një agjendë politike drejt procesit të integrimeve. Shqipëria ka shumë projekte zhvillimore në infrastrukturë, reforma në legjislacionit dhe ne konsiderojmë se infrastruktura është shërbim e jo realitet fizik. Andaj, shpresojmë që në këtë drejtim do të na ndihmojë edhe më tej BE-ja, për të arritur objektivat tona”- u shpreh ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Edmond Haxhinesto.
“Republika e Kosovës po bën përpjekje maksimale për të arritur standarde sa më të larta në ndërtimin e rrugëve dhe hapjen e korridoreve. Deri tani kemi arritur që të lëshojmë në përdorim 80 km të autostradës nga kufiri me Shqipërinë në drejtim të Serbisë dhe kemi filluar rrugën që lidhë Prishtinë me Shkupin dhe kjo do të mundësojë lidhjen me korridorin 8”- theksoi ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Fehmi Mujota.
“Observatori Transportues i Evropës Juglindore” është organizatë transportuese rajonale, e cila ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit për zhvillimin e infrastrukturës kryesore dhe ndihmëse të rrjetit multi-modal, të promovohet dhe të përforcohet kapaciteti për implementimin e programeve investuese.
VALBON BEXHETI
