Në RMV po festohet Kurban Bajrami, Fetahu mesazh për paqe dhe tolerancë
Me mesazhe për paqe e harmoni....

Me mesazhe për paqe e harmoni u shënua festa e Kurban Bajramit në Maqedoni të Veriut. Qysh në orët e para të mëngjesit besimtarët u mblodhën nëpër xhami për të falur namazin e mëngjesit, e më pas atë të Bajramit.
Festa e Kurban Bajramit është festë e tolerancës, sakrificës dhe respektit. Në këtë festë ndihmohen skamnorët, mes njerëzve shtrihet dora e pajtimit, e shtohet gëzimi nëpër familje, theksoi kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu, gjatë manifestimit qendror në xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup.
“Festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancës mes njerëzve. Është festë e gëzimit të ndërsjellë, afrimit në mes njerëzve, kujdes ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit, buzëqeshjes, e shërbimit të njerë ndaj tjetrit dhe gatishmërisë për vepër madhore, si dhe vetëdijes për të triumfuar e mira dhe e vërteta ndaj çdo të keqeje.”,- tha kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu.
Në festën e Kurban Bajramit me therjen e kurbanit besimtarët shprehin falënderimin e Zotit për pasurinë e falur. Me këtë festë kurorëzohet Haxhi, që është kushti i pestë i islamit, i cili është dëshmi për solidaritet dhe mirëqenie.
Kjo festë karakterizohet nga gatishmëria e besimtarit, që vetëm për All-llahun të sakrifikojë vlerat e tij materiale dhe shpirtërore. (Ersan Pajaziti, TVM2)
