Maqedoni

Hovit dhe Vajgëll në Shkup

04.12.2014 17:41

Raportuesi i deritanishëm i Maqedonisë në Parlamentin Evropian, Richard Howit...

Raportuesi i deritanishëm i Maqedonisë në Parlamentin Evropian, Richard Howit, gjatë fjalimit që mbajti përpara përfaqësuesve politik dhe diplomatik në Info-Qendrën e BE-së, tha se po e lë detyrën e raportuesit i zhgënjyer, sepse nuk ka mundur të bëjë diçka më shumë për integrimin e Maqedonisë.
 
Ai, tha se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos rrugës evropiane, nga ana tjetër nuk dëshiron që ngërçi politik me fqinjin jugor të shndërrohet në një konflikt të ngrirë.
 
“Nuk ekziston një rrugë e shkurtër drejt BE-së. Ajo kalon nëpërmjet zgjidhjes së kontestit të emrit. Nuk do të dëshiroja që ky vend të mbetet konflikt i ngrirë. Duam që ky vend të jetë pjesë e kufijve gjeografik të BE-së. Apeloj që qytetarët ta mbajnë besimin për ardhmërinë evropiane të vendit, sepse është alternativë e vetme dhe më e mirë”- deklaroi raportuesi (në largim) për Maqedoninë, Richard Howit.
 
Howit, ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit, të cilën e ka quajtur historike për vendin dhe rajonin, ndërsa ka ftuar klasën politike që ta ruajnë frymën dhe jo tekstin e saj. 
 
Sa i përket dialogut politik, Howit ftoi palët të kenë më shumë përgjegjësi, ndërsa për zgjidhjen tha se duhet ta gjejnë vetë ata.
 
“Ndasitë e brendshme nuk mund të zgjidhen nga jashtë. Respekti i ndërsjellë në kuvend përbën elementin thelbësor për një demokraci të shëndoshë”- tha raportuesi (në largim) për Maqedoninë, Richard Howit.
 
Edhe raportuesi i ri për Maqedoninë, Ivo Vajgël, tha se do të angazhohet me përkushtim për ta ndihmuar Maqedoninë në rrugën e saj drejt BE-së.
 
Lidhur me zgjidhjen e emrit, ai tha se ka për qëllim ta vizitojë Greqinë dhe se do të bisedojë me autoritetet e saj, me qëllim që të zgjidhet problemi, i cili, sipas tij, në të ardhmen mund të gjenerojë probleme të reja. 
 
“Nuk ka asnjë arsye që vendi mos t’i fillojë negociatat me BE-në dhe se nuk ka opsion më të mirë për vendin se sa integrimi euroatlantik. Do të duhet të krijohet një dinamikë e re në diskursin për emrin. Konsideroj se BE-ja duhet të ndihmojë të krijohet një dinamikë, e cila, sipas meje, do të hapej vetëm nëse hapen negociatat, përkatësisht disa kapituj të cilat më pak prekin interesat ndërfqinjësore dhe relacionet e kontestuara”- u shpreh raportues i ri për Maqedoninë, Ivo Vajgël.  
 
Vajgël, nuk është i sigurt se gjatë mandatit të tij do të arrijë të bind Brukselin për të hapur negociatat me Maqedoninë, por thotë se do të bëjë çmos që të arrihet përparim në këtë drejtim.
 
NAIM RAMADANI