Botë
Kurban Bajrami, po festohet edhe në Shqipëri dhe Kosovë
20.07.2021 18:13
Në Xhamitë dhe sheshet e qyteteve besimtarët myslimanë në Shqipëri falën namazin e kurban Bajramit!...
Në Xhamitë dhe sheshet e qyteteve besimtarët myslimanë në Shqipëri falën namazin e kurban Bajramit! Manifestimi qendror u mbajt në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, ku kryetari i komunitetit mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, tha se kjo festë duhet të shërbejë si pikë kthese duke iu larguar urrejtjes dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrit për të ndërtuar një botë sa më të mirë.
“Kurbani është devotshmëri ndaj zotit përkushtim ndaj familjes, kurbani është braktisje e punëve të pa dobishme, dhe aksioneve të kota. Qëndroni pranë principeve të larta hyjnore. Qëndroni pranë vlerave të familjes, rrisni përkushtimin dhe kontributin për një shoqëri të drejtë mos iu ndani të vërtetës asnjëherë. Ushqeni dashuri për hire të Zotit ndaj njëri tjetrit. T’i lutemi zotit të na forcojë në rrugën e drejtë, ti bekojë familjet tona. O zot pranoj kurbanet, lutjet tona, zbuti zemrat tona, na i bëj fëmijët tanë të mirë të dobishëm dhe të hajrit.”,- deklaroi kryetari i komunitetit mysliman në Shqipëri, Bujar Spahiu.
Edhe kreu bashkësisë islame të Kosovës, Naim Tërnava, në mesazhin e tij me rastin e Kurban Bajramit e vuri theksin te vlera e familjes.
“Në këtë ditë të madhe kujtojmë sakrificën e madhe të nënave dhe baballarëve tanë, çfarë kanë bërë për ruajtjen e familjes së shëndoshë. Nismat dhe qëndrimet për ta goditur familjen janë në kundërshtim të plotë me misionin e njeriut në këtë botë. janë kundër vullnetit të krijuesit të gjithësisë dhe kundër natyrshmërisë së njeriut ne duhet të kemi babe dhe nënë biologjik ashtu siç na ka krijuar zoti.”,- u shpreh kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.
Përveç therjes së kurbanit, pjesë e kësaj feste është edhe shkuarja në haxh, por zyrtarët e Arabisë Saudite, prej dy vitesh e kanë ndaluar haxhin për besimtarët nga jashtë, përfshi edhe besimtarët nga shtetet ballkanike për shkak të virusit korona, prandaj nuk munguan edhe lutjet që pandemia të merr fund sa më shpejtë që besimtarët mysliman nga e gjithë bota të mund të kryejnë haxhin, duke vizituar qytetet e shenjta ismame Mekën dhe Medinën.
GYLTENE SINANI
