Botë

Europë, mbi 50 milion të infektuar nga fillimi i pandemisë

20.07.2021 18:39

Europa është rajoni i parë që ka shënuar mbi 50 milion të infektuar me Covid-19...

Në Evropë një milion raste konfirmohen në çdo tetë ditë. Rajoni ka regjistruar rreth 1.3 milion viktima nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Varianti Delta është identifikuar në 100 vende përfshi vendet evropiane.
 
Rusia, një nga vendet më të prekur ka shënuar afërsisht 6 milion raste. Anglia i dha fund masave të saj për më shumë se një vit, por e ashtuquajtura “Dita e Lirisë”  u la në hije nga rritja e shpejtë e rasteve dhe parashikimeve gjatë ditëve të fundit. Është rritur për 68 për qind numri i vdekjeve nga COVID-19 në Angli, duke arritur kështu nivelin më të lartë që nga muaji prill.
 
Të dhënat e fundit vijnë një ditë pasi Anglia festoi “Ditën e Lirisë”, e cila shënoi lehtësimin e masave anti-COVID-19. Por për lirimin e masave Dominic Cummings, ish-këshilltari kryesor i kryeministrit britanik, hedh akuza të rënda, duke pretenduar se kryeministri nuk shqetësohej për të moshuarit.
 
“Vjeshtën e kaluar nuk ashpërsonte masat kufizuese për shkak se thoshte që po vdesin vetëm personat mbi moshën 80 vjeç.”,- deklaroi ish-këshilltari i kryeministrit britanik, Dominic Cummings.
 
Ndaj pretendimeve të tij reagoi menjëherë qeveria britanike, duke thënë se Kryeministri Johnson “i ka marrë të gjitha masat për ta mbrojtur jetën e qytetarëve, i udhëzuar me këshillat më të mira shkencore” përgjatë pandemisë. Nga ana tjetër, vendet e tjera po përshkallëzojnë masat kufizuese përballë rritjes së rasteve.
 
Qeveria franceze njofton valën e katërt të Covid-19, masat e reja përfshijnë vaksinimin e detyrueshëm.
 
“Ne kemi hyrë në valën e katërt të pandemisë. Franca do të imponojë masat e reja të kufizimeve për të shmangur përhapjen e mëtejshme të COVID-19, i cili ndodhet në valë të katërt dhe rrezikon të krijojë një mbingarkesë të sistemit shëndetësor.”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë franceze, Gabriel Atal.
 
Plani, i cili përfshinë edhe vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit shëndetësorë, përfaqëson disa nga masat më të ashpra kundër Covid-19 në Europë edhe Kanadaja nuk pranon në shtetin e saj persona të pavaksinuar. Më 9 gusht do të hapë kufirin e saj vetëm për amerikanët që janë plotësisht të vaksinuar kundër virusit Korona. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU