Botë

Putin: Krimeja ka “rëndësi të shenjtë” për Rusinë

04.12.2014 17:44

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Kimkin, e ka kritikuar sot ashpër agresionin rus në Ukrainën Lindore...

Teksa ka folur në Bazel të Zvicrës në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Klimkin e ka kritikuar Rusinë posaçërisht për mosrespektimin e marrëveshjeve të armëpushimit.
 
“Ka kaq shumë storje, por ju vetëm duhet të shikoni se çfarë po ndodhë në Ukrainë në këtë kohë. Së pari, ne ende kemi një mendje të hapur për kontakte ekonomike me Rusinë. Por, Ukraina dëshiron të mbetet shtet demokratik dhe pjesë e Evropës, në mënyrë që të zhvillohet. Në këtë kuptim, ne nuk kemi ndonjë problem me përdorimin e gjuhës ruse. Shumë nga miqtë e mi të flasin rusisht, shumë prej ushtarëve në Ukrainën Lindore flasin rusisht. Ajo që na duhet është një armëpushim i vërtetë, dypalësh”- deklaroi ministri i jashtëm i Ukrainës, Pavlo Kimkin.
 
Në margjina të mbledhjes, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavvrov dhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Pavlo Klimkin, vetëm disa orë pasi Kerry publikisht e dënoi rolin e Rusisë për krizën në Ukrainë, duke thënë se Rusia është izoluar nga bota dhe për të rindërtuar kredibilitet ndërkombëtare duhet t’i japë fund mbështetjes se saj për separatistët pro-rusë. 
 
Nga ana tjetër, në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Krimeja ka “rëndësi të shenjtë” për Rusinë, dhe këtë territor të Ukrainës, që Moska e aneksoi në mars të këtij viti, e ka krahasuar me vendet e shenjta hebreje dhe myslimane në Jerusalem.
 
Presidenti rus, më tutje e ka akuzuar perëndimin se po përpiqet ta copëtojë Rusinë, sikur Jugosllavinë në vitet e 90-ta, por ai konsideron se “ata kanë dështuar, ashtu sikur dështoi Hitleri”.
 
Më tutje, ai i ka kritikuar planet e Shteteve të Bashkuara për mbrojtje raketore dhe tha se Rusia nuk do të tërhiqet në një garë të re të armatimit.
 
LEUNORA KALIQI