MASH, rriten bursat për nxënësit dhe studentët
MASH ka vendosur që të rrisë bursat...

MASH ka vendosur që të rrisë bursat për studentët dhe nxënësit. Ministrja Carovska deklaroi se bursat për rastet sociale rriten për 100%, nga 3 mijë sa janë aktualisht në 6 mijë denarë, ndërsa bursat e studentëve që studiojnë shkenca natyrore, për arsye se këto lëndë janë deficitare do të rriten në 18 mijë denarë.
Po ashtu nga ministria e Arsimit njoftojnë se pas 10 vitesh kthehet dhënia e bursave për ciklet e dyta dhe të treta.
Kjo do të thotë që përveç studentëve që studimet duan ti kryejnë jasht shtetit, bursë mund të fitojnë edhe studentët të cilët do të studiojnë brenda shtetit.
Ministrja Carovska njoftoi gjithashtu edhe për shumën që do të arrijnë bursat për nxënësit. Ato do të arrijnë vlerën prej 3500 denarëve .
“Bursat sociale rriten qind për qind, nga 3 mijë në 6 mijë denarë, bursat për nxënësit harmonizohen dhe arrijnë një vlerë, pra të gjitha bursat do të jenë me vlerë prej 3 mijë e 500 denarëve, kurse për studimet e shkencave natyrore, lëndën e kimisë, matematikës, fizikës, kemi paraparë rritje të bursave në 18 mijë denarë, sepse këto drejtime janë deficitare në shtet” – tha Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.
Si për studentët po ashtu edhe për nxënësit e shkollave të mesme ky është një hap i madh përpara, janë të kënaqur dhe potencojnë se kjo e arritur i dedikohet negociatave 10 mujore që janë realizuar me MASH-in dhe thonë se do të vazhdojnë me beteja të tjera për ti realizuar kërkesat që kanë.
“Kjo është një e arritur e madhe, por ne nuk do të ndalemi këtu, do të vazhdojmë edhe më tej drejt realizimit të të gjitha kërkesave që kemi si student, për të rritur standardin studentor si dhe cilësinë e arsimit të lartë” – tha një student.
Ministrja Carovska ndërkohë edhe njëherë apeloi deri tek të gjithë mësimdhënësit dhe personelin teknik të shkollave që të paraqiten për vaksinim.
Sipas saj kjo është mënyra e vetme që të mund në shtator mësimi të fillojë në të gjitha shkollat me prani fizike, në të kundërtën Carovska ripërsëriti vendimin e qeverisë për tre skenarë të mundshëm, ai me prani fizike, mësimi online dhe mësimin e kombinuar. (Sedat Selimi, TVM2)
