Strategjia 10 vjeçare, MPJ forcon rolin e kuvendit në politikën e jashtme
Përforcimi i rolit të kuvendit në politikën e jashtme....

Përforcimi i rolit të kuvendit në politikën e jashtme, bëhet pjesë e strategjisë 10 vjeçare të ministrisë së jashtme. Ministri i jashtëm, Bujar Osmani konsideron se suksesi i brendshëm do të reflektojë edhe në politikat e jashtme në drejtim të eurointegrimeve.
Sipas tij strategjia synon krijimin e parashikueshmërisë për cilëndo parti politike që të vazhdojnë veprimet në rrafshin ndërkombëtar.
“Për çështje të interesave shtetërore, për çështje të politikave të jashtme për të cilat qytetarët nuk kanë dallim, unë pres unifikim të qëndrimeve në kuadër të kornizës që duhet të jep kjo strategji e përbashkët. Qytetarët nuk kanë dallim sa i përket integrimit në BE, qytetarët nuk kanë dallim sa i takon integrimit në NATO, rolin e Maqedonisë së Veriut në kontekst rajonal, në kontekst multilateral dhe prandaj unë pres që ky vullnet konsensual i qytetarëve të përkthehet edhe në veprime konkrete të partive politike.” – tha Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Konsensusi sipas Osmanit duhet të përfshijë edhe kontestin me Bullgarinë.
Rezoluta e VMRO-DPMNE-së, Osmani: Mbështesim rezolutë vetëm me emrin kushtetues
Ai njëherit bën të ditur se partija e tij nuk do të mbështesë rezolutën e VMRO – DPMNE-së pa emrin kushtetues të shtetit.
“Kërkoj maturi që politika shtetërore të mos merr dimension partiak dhe politik pasiqë vetëm mund ta dobësojë pozicionin tonë. Me rëndësi është që në kuvend të ketë konsensus etnik dhe politik dhe mos të hapen tema shtesë të cilat mund të dëmtojnë procesin. Çështja për emrin kushtetues që u bë pjesë e kësaj rezolute paraqet hapje të problemeve të reja e jo të mbyll këtë problem. Jemi për rezolutë ku do të paraqiten qëndrimet shtetërore, por të bazuar në konsenzus. Nëse shfrytëzohet emri kushtetues, BDI do ta mbështesë rezolutën” – u shpreh Osmani.
Osmani thotë se bisedimet me Bullgarinë mbi udhërrëfyesin do të riaktivizohen me formimin e qeverisë dhe institucioneve bullgare. Shanset sipas Osmanit për arritjen e zgjidhjes mund të jenë deri në fund të vitit, para dhe pas zgjedhjeve lokale në tetor. (Meral Ismaili, TVM2)
