Maqedoni

Partia “E Majta: Të sanksionohen keqpërdoruesit e yllit evropian

21.07.2021 18:52

Për shkak të propozim-ligjit për shtetësi, i cili është lëshuar në procedurë parlamentare me flamur evropian...

Për shkak të propozim-ligjit për shtetësi, i cili është lëshuar në procedurë parlamentare me flamur evropian, Partia “E Majta” kërkon ndryshimin e Kodit Penal, me ç’rast propozon dispozitë e cila parashikon sanksionimin e keqpërdorimit të yllit evropian.
 
Po ashtu kjo parti paralajmëron padi penale ndaj propozuesit zyrtar të ligjit, ministrit të brendshëm, Oliver Spasovskit, dhe kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.
 
“Ekipi ynë juridik do të parashtrojë padi penale ndaj spikerit për punë të pandërgjegjshme në funksion, sipas nenit 3,5,3,2 dhe kundër ministrit, si dhe dy këshilltarë nga Sekretariati për Çështje Evropiane që kanë nënshkruar deklarata të rrejshme lidhur me ligjin e fundit për shtetësi. Ato janë Snezhana Naçakovska - këshilltare shtetërore dhe Lila Pejçinovska Millutinovska, sepse gënjejnë se ekziston rregullativë evropiane në BE me të cilën harmonizohet ky ligj.”,- tha Dimitar Apasiev nga “E Majta”.
 
Me këtë zgjidhje ligjore të propozuar me procedurë të shkurtuar parashikohen dënime me burg nga 1 deri në 5 vite për propozuesin e autorizuar të ligjit i cili do ta keqpërdor yllin evropian. Parashikohen dënime edhe për personat zyrtarë duke nisur nga kryetari i Kuvendit deri tek presidenti, përfshi edhe kryetarin e trupit punues në Kuvend – deklaroi Dimitar Apasiev nga partia “E Majta”.
 
“E Majta” po bën politikë nacionaliste, thotë Skender Rexhepi,  nga Ash-Alternativa sipas të cilit ligji për shtetësi do të miratohet javën e ardhshme.                                                                                                      
“Një subjekt politik si “E Majta” që ushqen veten dhe elektoratin e saj aq të vogël që e ka me nacionalizëm nuk do t’u shkojë për dore. Ata e kanë obligim moral njerëzor, politik dhe demokratik të tregojnë vërejtjet e tyre mbi Ligjin për shtetësi. Me faktin që nuk e kanë lexuar fare por merren vetëm me politikë nacionaliste, kjo atyre nuk ju shkon për shtati e as për nderë, por megjithatë Ligji për shtetësi do të kalojë.”,- theksoi Skender Rexhepi nga ASh-Alternativa.
 
Të enjten Kuvendi pritet të miratojë nevojën e propozim-Ligjit për shtetësi, ndërsa pas votimit të rebalancit të buxhetit javën që vjen pritet të miratohet edhe Ligji për shtetësi, thonë nga opozita shqiptare. 
 
FARIJE DAUTKI BAKIJU