Maqedoni

Komuna Saraj me një vendbanim të ri, lagje elitare larg metropolit

22.07.2021 16:17

Komunës së Sarajit do t’i shtohet një vendbanim i ri...

Në këtë komunë u hodh gurthemeli i lagjes elitare “Complex Planet”, e cila  do të përfshijë 142 vila moderne, të ndërtuara në sipërfaqe prej 150 mijë metra katrorë. Investitorët theksuan se për ta është mjaft e rëndësishme që kapitalin e fituar ta investojnë në vendlindje.  

“Vendosa të kthehem në vendlindje jo si mërgimtar. Vendosa  të kërkoj hapësirë të re në vendlindje, por tani si pronar i kompanisë me përvojë të madhe në fushën e biznesit, për të përcjell përvojat e mia nga atje.”,- deklaroi investitori, Xhemil Shabani.

“Prej në fillim jemi të vetëdijshëm se mund të përballemi me pengesa për të cilat nuk i kemi menduar më para. Një pengesë e tillë është edhe pandemia e cila na shkaktoi pak vonesë.”,- theksoi investitori, Sami Misimi.

“Zhurmat e mëdha, komunikacioni i dendur, temperaturat e larta gjatë verës, ndotja e ajrit gjatë dimrit janë vetëm disa nga arsyet e shumta për ndërtimin e këtij kompleksi të vetëm në Maqedoni.”,- tha ideatorja e projektit, Valdeta Kasapi.

Investimet e këtilla gjithnjë do ta kenë përkrahjen e pushtetit qendror, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai bëri thirrje që mërgimtarët të shtojnë investimet e tyre në vendlindje.

“As atdhe, as vend rezervë nuk kemi. Është në duart tona, është në mundësitë tona që këtë vend ta ndryshojmë, që këtë vend ta bëjmë më të bukur dhe të mirë se sa atë që na e lanë trashëgimi.”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Edhe nga pushteti lokal u zotuan se do të ndihmojnë jetësimin e këtij projekti.

“Komuna e cila shtrihet me afro 250 kilometër katror, me mbi 40 mijë banorë, me 25 vendbanime, po i shtohet edhe një vendbanim, edhe një botë e re e quajtur kompleks planet.”,- deklaroi kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti.

“Qyteti i Shkupit zbaton politika të zhvillimit ët barabartë rajonal i të gjitha pjesëve. E dimë se kjo për ju është motiv shtesë, pasi që për dallim nga e kaluara tani qyteti i Shkupit ka trajtim të barabartë për të gjitha pjesët e qytetit.”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Përveç shtëpive në këtë lagje do të ndërtohet edhe poliklinikë, fushë sporti, parqe, parkingje, restorante dhe hapësira tjera rekreative që do të mundësojë hapjen edhe të vendeve të reja të punës.

ERSAN PAJAZITI