Koalicionimet, Zaev: Ka vullnet për performancë të përbashkët
Partnerët e koalicionit qeverisës kanë filluar të bisedojnë më haptazi për koalicionimet e mundshme...

Partnerët e koalicionit qeverisës kanë filluar të bisedojnë më haptazi për koalicionimet e mundshme dhe për kombinatorikat se kush cilin kandidat dhe në cilën komunë do ta mbështesin për kryetar të komunave. Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, Zoran Zaev është takuar me Thaçin, Kasamin dhe Ahmetin.
Nuk dëshiron të thotë nëse LSDM-ja është kushtëzuar të mbështesë ekskluzivisht njërën parti shqiptare për Tetovën dhe tjerat t’i anashkalojë. Ajo që Zaev e vlerëson është se në mësim partnerëve të koalicionit ekziston vullnet të mirë politik për performancë të përbashkët në zgjedhjet lokale dhe lë të hapur idenë që edhe LSDM të dalë me kandidat të vetin për Tetovën.
“Unë besoj se do të gjejmë zgjidhje dhe do të arrijmë të bëjmë koalicion për Tetovën. Më herët u takova me Menduh Thaçin dhe Bilal Kasamin, ndërsa do të takohem edhe me Ali Ahmetin ku do të bisedojmë për kandidatët e mundshëm ku edhe njëherë do të ripërsërisim se ekziston dëshira për performancë të përbashkët politike në zgjedhjet lokale, ndërsa detajet as unë e as ai nuk do të mund t’ju themi sot sepse vijojnë procedurat tjera. Shpresoj se së bashku do të kultivojmë idenë për një shoqëri të përbashkët, ku parashikohen të kemi lista multietnike.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Data për lokalet, Zaev: S’jemi kundër, lokalet të mbahen më 17 tetor
Zaev u shpreh se nuk është kundër që zgjedhjet lokale të mbahen më datën e caktuar 17 tetor nëse për këtë pajtohen të gjitha partitë politike, edhe pse ai mendon se regjistrimi i popullsisë dhe fushata politike do të përputhen.
“Pse themi jo për datën 17 tetor, por me ligj zgjedhjet lokale të shtyhen sepse në atë periudhë po përputhet fushata politike me procesin e regjistrimit të popullsisë dhe kjo nuk është mirë. Mendojë se procesi i regjistrimit duhet të përfundojë deri në fund të shtatorit dhe më pas të fillojë fushata zgjedhore. Por nëse opozita maqedonase dhe partitë tjera politike po pajtohen për 17 tetorin, ne jemi në rregull. Ndërsa opsionet e fundit për tetor për zgjedhjet mbeten 24-ti, dhe 31 tetori.”,- theksoi Zaev.
Zaev po ashtu tha se ekziston një kompani e cila iu është përgjigjur thirrjes së hapur për furnizimin e pajisjeve të gjurmëve të gishtërinjve për zgjedhjet lokale.
REXHEP QAMILI
