Privatizimi i tokës bujqësore në pronësi të shtetit
U mblodhën në një vend për të diskutuar mbi Projekt-ligjin për Shitjen e Tokës Bujqësore në Pronësi të Shtetit...

Edhe pse ministri i bujqësisë u mundua të sqarohet se ky ligj është më se i rëndësishëm dhe në të mirë të qytetarëve por edhe vendit, kishte vërejtje nga ana e të pranishmëve. Nga Iniciativa qytetare “Front” thonë se ky Projekt-ligj për privatizimin e tokës bujqësore nuk është i mirë pasi që vlerësojnë se do të përfundojë me uzurpimin dhe shndërrimin e tokës bujqësore në tokë ndërtimore.
“Më sinqerisht ju them se qëllimi është i qartë dhe pa asnjë prapavi, për këtë ju garantoj. Qëllimi është që ata të cilët e punojnë një tokë bujqësore me vite të tëra të vazhdojnë edhe më tutje, ka prej atyre që punojnë 40 vite dhe atyre duhet tu mundësohet siguri që ata të vazhdojnë, jo vetëm ata por edhe fëmijët e tyre pas tyre.”,- deklaroi ministri i bujqësisë, Arianit Hoxha.
“Front”: Propozim-ligji, opsion jo i mirë. Hoxha: Ligji nuk është dashakeq
“Vlerësojmë se ky është një opsion jo i mirë dhe nuk do të sjellë asgjë të mirë për qytetarët e vendit. Është opsion jo i mirë pasi që në këtë mënyrë tokën bujqësore do ta kenë në dorë grabitqarët. Ka mundësi pastaj tokën bujqësore ta shndërrojnë në tokë ndërtimore.”,- theksoi Jordan Trajkov nga Iniciativa Qytetare “Front”.
Ministri Hoxha thotë se Projekt-Ligji parashikon qe shitja e tokës bujqësore në tre vitet e ardhshme të sjellë më shumë se një miliard euro qarkullim.
Ligji për shitjen e tokës parashikon shpallje publike, ku të drejtë për blerjen e saj kanë vetëm qiramarrësit me një marrëveshje të nënshkruar për qira tre vite para se të shpallet thirrja publike, Çmimi nuk mund të jetë më i ulët se 0.30 euro për metër katror, e as më i lartë se një euro.
Në 20 vitet e fundit mbi 100,000 hektarë janë të papunuara. Ky ligj do të mundësojë që këto hapësira të vihen në funksion të zhvillimit të bujqësisë dhe rritjes së prodhimit bujqësor.
ARMEND MURSELI
