Covid-19, 36 raste të reja, 12 të shëruar e asnjë viktimë
Në vend janë rritur ndjeshëm rastet e reja me Kovid-19...

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 3569 teste dhe janë regjistruar 36 raste të reja. Vetëm në Kumanovë janë regjistruar 15 raste të reja, në Shkup – 7, Tetovë – 6, Gostivar 2 dhe Prilep - 1.
Nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë edhe për 12 pacientë të shëruar nga virusi Korona, derisa nuk ka pasur asnjë të vdekur. Numri i rasteve aktive në vend është 265 të infektuar.
MSh: Dje janë aplikuar rreth 20.000 vaksina
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të enjten janë vaksinuar 19.274 qytetarë, prej të cilëve dozën e parë e kanë pranuar 6.385 qytetarë, kurse gjithsej janë vaksinuar 481.268 qytetarë, 318.900 prej të cilëve kanë marrë dozën e dytë.
Ministria e Shëndetësisë njëherit kërkon nga institucionet kompetente të veprojnë në përputhje me rregulloret ligjore në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e lajmeve të rreme në rrjetet sociale kundër vaksinimit për Kovid-19.
Ministria thekson se një propagandë e tillë anti-vaksinë dhe teoritë konspirative të përhapura në rrjetet sociale janë të pranishme edhe te disa mjekë, madje edhe profesorë në Fakultetin e Mjekësisë, duke minuar punën e kolegëve, në luftën kundër Kovid-19, e cila rrezikon shëndetin publik.
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe zyrtarët tjerë shëndetësorë vazhdojnë të apelojnë që qytetarët të vaksinohen sa më parë kundër Kovid-19, si mënyra e vetme për të arritur imunitetin kolektiv dhe për t’i dhënë fund pandemisë. Në rrjedhë e sipër është vaksinimi pa termin për të gjithë qytetarët e moshës madhore si dhe vaksinimi me termine për fëmijët nga 12 deri në 18 vjeç.
REJHANE BUSHI METAJ
