Botë

Komisioni Evropian: Gjysma e popullatës në Evropë janë vaksinuar

23.07.2021 16:24

Dyqind milionë europianë ose më shumë se gjysma e popullsisë së rritur është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19...

Deri në fund të verës është vendosur objektiv që të vaksinohen 70% e popullatës, thonë autoritetet evropiane.                                         

“Deri më tani, ka pasur 200 milionë njerëz që janë vaksinuar plotësisht në Bashkimin Europian. Ne kemi 68,4% të të rriturve në BE tashmë të vaksinuar me dozën e parë.”,- tha zëdhënësja e KE-së, Dana Spinant.                                                                                                                                                   

Në mesin e vendeve evropiane ku gjysma e popullsisë janë vaksinuar është edhe Italia, e cila ka vënë alarmin për një valë të re. Numri i të infektuarve është dyfishuar gjatë javës së kaluar, ndërsa mbi 5 mijë raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit.

Për këtë arsye Italia prezanton certifikatën e detyrueshme shëndetësore, e cila do të hy në fuqi më 6 gusht dhe e njëjta do të përdoret për të hyrë në ambiente të mbyllura, si bare, restorante, salla sporti etj.

“Certifikata shëndetësore është një instrument për të lejuar italianët të vazhdojnë aktivitetet e tyre, me garancinë për të mos e gjetur veten mes personave të infektuar.”,- tha kryeministri i Italisë, Mario Draghi.

Por, në certifikatën e vaksinimit nuk llogaritet vaksina ruse Spotnik V, sepse Agjencia evropiane për barna nuk ka miratuar përdorimin e kësaj vaksine. Së fundmi BE-ja  propozoi bisedime për njohjen e vaksinës në certifikatën e imunizimit. Rusia i mirëpret bisedimet.

“Kohën e fundit, Komisioni Evropian propozoi: Ejani të bisedojmë me Rusinë për njohje reciproke të vaksinave dhe certifikatave”. Ne jemi të hapur për atë dialog. Rusia është e hapur për propozimin e Bashkimit Evropian.”,- theksoi ministri rus i punëve të jashtme, Sergei Lavrov.

Edhe Izraeli e bën të detyrueshëm vaksinimin. Kryeministri, Naftali Bennet, u shpreh me tone të ashpra, duke iu drejtuar popullatës të zgjedhin mes dy opsioneve ose të vaksinohen ose të qëndrojnë të izoluar.

FARIJE DAUTI BAKIJU