Debat rreth rebalancit të buxhetit, BDI: Prioritet edhe agjenda e gjelbër
Agjenda e gjelbër u bë temë diskutimi edhe në kuvendin ligjvënës...

Agjenda e gjelbër u bë temë diskutimi edhe në kuvendin ligjvënës, ku po vazhdon debati për rebalancin e buxhetit. Deputeti i BDI-së, Bedri Fazliu, theksoi se përveç stabilitetit ekonomik dhe konsolidimit fiskal në periudhën post-Covid, me këtë rebalanc prioritet do t’i jepet edhe gjelbërimit.
“Do të mundohemi që të zbatojmë agjendën tonë të gjelbër në të gjitha fushat e politikës, duke u kujdesur për qëndrueshmërinë e të gjitha vendimeve politike, por gjithashtu duke i dedikuar edhe buxhete të konsiderueshme. Buxhete për rrugë moderne, transport publik, menaxhim të mbetjeve dhe trajtim të ujërave të ndotura, investime në ujë të pijshëm, që u elaborua edhe u pranua edhe me amendamentet përkatëse, ekonomi të gjelbër duke u ofruar të gjitha mundësitë e reja për brezat e ardhshëm, brezat e rinj.”,- deklaroi deputeti i BDI-së, Bedri Fazliu.
GROM: Po i shkurtoni mjetet për ambientin
Kjo ka shtyrë të reagojë deputetin opozitar, Ljupço Prenxhov, i cili tha se BDI nga njëra anë premton gjelbërim, e nga ana tjetër shkurton mjetet që kanë të bëjnë me ambientin e pastër.
“Përse ministri juaj i ambientit jetësor i ul mjetet për cilësinë e ajrit për 2.64%. Pasi jeni të gjelbër dhe kërkoni Maqedoni të pastër, pse ministri juaj ul mjetet për rrjete të kanalizimit për 33.19%, dhe pasi jeni nga Tetova më tregoni e ulni ajrin, nuk keni kanalizimi, më tregoni pse edhe për pastrim të deponive të egra kemi ulje për 10.6%. Dhe në fund më tregoni pse ministri juaj, përfaqësues i të gjelbërve të BDI-së, ka ulur mjetet të dedikuara për përparimin e ambientit jetësor për 5.6 %.”,- theksoi Ljupço Prençov nga GROM.
Me rebalancin e Buxhetit të hyrat parashihen të jenë në nivelin prej 222.6 miliardë denarë dhe janë 4.7 për qind më të larta. Ndërsa shpenzimet deri 268.8 miliardë denarë ose 8.6 për qind më shumë se buxheti fillestar. Deficiti buxhetor kap vlerën prej 46.2 miliardë denarësh.
ERSAN PAJAZITI
