Ligji për Nënshtetësi hyri në procedurë, në Komisionin amë u votua rendi i ditës
Me 9 vota “për” dhe asnjë kundër, Komisioni për Çështje Evropiane miratoi rendin e ditës...

Me 9 vota “për” dhe asnjë kundër, Komisioni për Çështje Evropiane miratoi rendin e ditës, ku pikë e vetme është Ligji për nënshtetësi i propozuar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Për më shumë se dy orë, opozita maqedonase nëpërmjet fjalimeve procedurale kërkoi që t’u shpërndahen amendamentet e dorëzuara në lidhje me këtë ligj pak para fillimit të seancës.
Ata akuzuan se shumica parlamentare po tenton që ta kalojë këtë ligj shpejt dhe pas dyerve të mbyllura për qëllime politike.
“Derisa e shkurtoni procedurën dhe vendosni flamur evropian për ligj për të cilin duam të diskutojmë dhe limitoni kohën e diskutimit në dy ditë nga ana tjetër planifikoni të miratoni rendin e ditës që të fillojë të rrjedhë koha për shqyrtimin e amendamenteve. Lus që ti presim dokumentet zyrtare, të presim amendamentet dhe të shohim me çka fillojmë.”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Kreu i komisionit Arbër Ademi sqaroi se një praktikë e tillë është e vendosur në punën e komisioneve të kuvendit. Ndërkohë që Skender Rexhepi nga opozita shqiptare rikujtoi deputetët e VMRO-DPMNE-së se një gjë të tillë e kishin praktikuar edhe për shtyrjen e regjistrimit.
“Është një praktikë të cilën e kemi ndjekur deri sot në çfarëdo lloj séance të këtij lloji e në çfarë do lloj situate të këtillë të ngjashme të cilën jemi përballur, d.m.th. asgjë e re nuk po ndodh sot.”,- theksoi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.
“Në një takim të vrtëm që ndodhi mes liderit të LSDM-së dhe atij të VMRO-së u sjell vendimi që të shtyhet regjistrimi dhe unanimisht erdhët këtu pa pritur amendamente e mbajtët komisionin, e futët në rend dite pikën që e kishit ju pa i pritur amendamentet dhe u dakorduan edhe deputetët e VMRO-së edhe ata të LSDM-së, të shumicës dhe opozitës jashtë opozitës shqiptare megjithatë kaloi në të njëjtën procedurë siç e propozon sot kryetari i komisionit pse sot deheshka të jetë ndryshe.”,- u shpreh Skender Rexhepi nga ASH-AAA.
Opozita maqedonase në lidhje me këtë ligj ka dorëzuar 1.006 amendamente, të cilat u përpunuan gjatë zhvillimit të seancës.
NAIM RAMADANI
