Maqedoni

Zaev: Me BDI-në koalicion në disa komuna

23.07.2021 18:32

Pas dakordimit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për koalicionim në zgjedhjet lokale...

Pas dakordimit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për koalicionim në zgjedhjet lokale, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka sqaruar se do të ketë përkrahje të kandidatëve mes dy partive në komuna të caktuara që në rrethin e parë. Por, për të mos pamundësuar partitë e vogla të koalicionit që edhe ato të garojnë nëpër komuna të caktuara nuk do të ketë kandidat të përbashkët në të gjitha komunat, ka thënë Zaev.                                       

“Koalicioni me BDI-së do të thotë pjesëmarrje e përbashkët në zgjedhje lokale, që do të konfirmohet deri në fund varësisht nga vet kandidatët. Mund të ndodhë që në rrethin e parë ne të përkrahim kandidat të BDI-së apo edhe BDI të përkrah kandidatët e LSDM-së dhe Koalicionit “Mundemi”. Diku do të shkojmë me përkrahje në rrethin e dytë, sepse do të kemi edhe kandidatët tanë. Diku do të japim mundësi të shkojnë kandidatët e partive më të vogla, prandaj nuk do të ishte mirë që në rrethin parë t’i japim përkrahje BDI-së apo ajo ne, kur kemi kandidat nga Besa, partitë serbe, turke e të ngjashme.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE: Të gatshëm për koalicion me ASh-Alternativën

Ndërkohë, VMRO-DPMNE është shprehur e gatshme për koalicion me koalicionin e opozitës shqiptare ASH-Alternativa. Madje nga VMRO thonë se kanë vërejtur disponim edhe te opozita shqiptare.                         

“Te ne ekziston disponim për bisedime me Aleancën dhe Alternativën për bashkëpunim, koalicion para rrethit të parë dhe gjithashtu edhe bashkëpunim, koalicion mes dy rretheve zgjedhore. Kemi sinjale nga këto dy parti se ky disponim ekziston edhe te ata dhe në bazë të programeve dhe kandidatëve të mirë në më shumë komuna do të mund të harmonizojmë këto bashkëpunime të ardhshme. Nuk kam datë konkrete kur do të ndodh ndonjë takim i tillë por komunikimi është i rregullt edhe në nivel të Kuvendit edhe jashtë Kuvendit.”,- u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.                                                                                           

Nga opozita shqiptare nuk e përjashtojnë një mundësi të tillë, por thonë se ditëve në vijim do të vendoset në organet partiake pasi që ka edhe zëra pro edhe kundër. Madje nga ASh-Alternativa thonë se kanë preferuar të garojnë në dy blloqe në kampin shqiptarë, por pas njoftimit për koalicion LSDM-BDI gjithçka mbetet e hapur.

Nga Lëvizja Besa e cila në zgjedhjet parlamentare garoi në koalicion me LSDM-në tani thonë se do të garojnë të vetme. Ndërsa edhe PDSh tani për tani ka njoftuar se do të garojë e vetme. Madje në disa komuna ka publikuar edhe emrat e kandidatëve të sajë.

FLUTURA LATIFI