Maqedoni
Han: Vendi i Maqedonisë dhe i vendeve ballkanike është në BE
04.12.2014 18:25
Brukseli pret nga Maqedonia unitet politik, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe marrëdhënie të mira me fqinjët...

Eurokomisari për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim, Johanes Han, gjatë takimit me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Fatmir Besimin, vuri në dukje nevojën për punë të përkushtuar, sinqeritet, partneritet dhe gjetje të përbashkët të zgjidhjeve për çështjet e hapura më shtetet fqinje.
“Republika e Maqedonisë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të arrijnë t’i tejkalojnë sfidat dhe të bëhen anëtare të plotfuqishme të Bashkimit Evropian. Zgjerimi i BE-së është pjesë përbërëse e agjendës së Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian është i gatshëm ta ndihmojë Maqedoninë në zbatimin e procesit të reformave”- ka thënë Han.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, ka njoftuar komisionerin Han për përpjekjet që i bën Qeveria e Republikës së Maqedonisë në drejtim të zbatimit të reformave të nevojshme për realizimin e suksesshëm të procesit të eurointegrimit në BE.
“Qeveria, duke u bazuar në gjetjet e Raportit për Progres, tanimë ka përgatitur draft-planin e veprimit për aktivitete konkrete në fushat kryesore, siç janë reformat në gjyqësi, e drejta e shprehjes dhe mediave, përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike, reformat në administratën publike, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal, reformat zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, shfrytëzimi efektiv i fondeve IPA etj”- tha zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
Zëvendëskryeministri Besimi, ka kërkuar mbështetje më të fuqishme nga eurokomisari Han dhe Komisioni Evropian në Samitin e dhjetorit të Këshillit Evropian.
SHPËTIM NUREDINI
