Maqedoni
Manifestim në USHT për “Ditën e personave me aftësi të kufizuara”
04.12.2014 18:38
Me rastin e 3 dhjetorit-“Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar”, Katedra e Edukimit Special dhe Rehabilitimit e Fakultetit Filozofik të USHT-së...

Me rastin e 3 dhjetorit-“Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar”, Katedra e Edukimit Special dhe Rehabilitimit e Fakultetit Filozofik të USHT-së, e ka shënuar këtë ditë bashkë me nxënësit e paraleles speciale pranë Shkollës Fillore “Liria”.
Ky aktivitet kishte për qëllim sensibilizimin e opinionit për t’i trajtuar njëjtë si të tjerët edhe këtë kategori njerëzish. USHT-ja, si institucion më i lartë arsimor, ka për detyrë të promovojë principet e barazisë, dinjitetit dhe fuqizimit të personave me aftësi të kufizuar, tha në këtë manifestim rektori i USHT-së, prof.dr. Vullnet Ameti.
“Me këtë manifestim modest, ne shënojmë për herë të dytë “Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara”, 3 dhjetorin. Kjo ditë, e cila u shpall si “Ditë ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuar” nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1992, ka për qëllim respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, respektivisht të drejtat e personave me aftësi të kufizuar dhe duke u bazuar në faktin se në botë kemi rreth 650 milionë persona me ndonjë aftësi të kufizuar të caktuar, ne sot kemi rastin që në mënyrë simbolike të festojmë për shkathtësitë, arritjet dhe kontributin e tyre që kanë dhënë dhe vazhdojnë ta japin në shoqërinë tonë”- deklaroi rektori i USHT-së, prof.dr.Vullnet Ameti.
Sipas dekanit të Fakultetit Filozofik të USHT-së, Fatbi Osmanit, simbolika e kësaj dite është ajo se çfarë bëjmë ne për ata persona në nevojë.
Ndërsa shefi i Departamentit të Edukimit Special dhe Rehabilitimit, tha se së bashku të krijojmë një shoqëri ku edhe “ti ke të drejtën si unë”.
“Shoqëria duhet të respektojë të gjithë ata që janë të ndryshëm nga të tjerët, diversiteti është realitet i shoqërisë. Themelimi i programit studimor Edukimi Special dhe Rehabilitimi në kuadër të Fakultetit Filozofik, paraqet një ndërmarrje të rëndësishme, që të studiohen problemet dhe në mënyrë profesionale të ndihmohet kjo kategori e njerëzve me nevoja të veçanta. Misioni, vizioni, synimet dhe strategjia e këtij programi studimor ka një mbështetje të fuqishme nga stafi udhëheqës i USHT-së me në krye rektorin, prof.dr.Vullnet Ametin”- tha dekani i Fakultetit Filozofik të USHT-së, prof.dr. Fatbi Osmani.
“Barrierat fizike janë vetëm ato që na i sheh syri, por ato nuk do të ekzistonin po të mos ishin barrierat shoqërore, andaj ju ftoj që së bashku të krijojmë një shoqëri ku edhe ti ke të drejtën si unë”- theksoi shefi i Departamentit të Edukimit Special dhe Rehabilitimit në USHT, Bunjamin Memeti.
Në këtë manifestim, fëmijët me nevoja të veçanta shfaqën disa këngë dhe poezi me ndihmën e studentëve të Katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit.
Ndryshe, për herë të parë më 3 dhjetor të vitit 1992, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së këtë datë e shpalli si “Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara”.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i tyre tejkalon 1 miliardë veta, prapë sipas të dhënave të saj, nga 110 deri në 190 milionë prej këtyre njerëzve hasin vështirësi në jetën e përditshme të invalidëve dhe duhet të përballojnë barriera pothuajse në çdo hap.
MIFTAR EMINI
