Në Çarshinë e Shkupit u mbajt festivali “Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë”
Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit...

Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u mbajt edicioni i 14 festivalit folklorik “Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë 2021”, që u organizua nga Ansambli “Ibe Palikuqi” nga Shkupi.
Kryetari i këtij ansambli, Kenan Jahja, theksoi se festivali ka për qëllim promovimin e valleve popullore, por edhe ringjalljen e jetës kulturore në Çarshi.
“Prej vitit të parë këtë festival e organizojmë në Çarshinë e Shkupit, që ta ngjallim jetën kulturore në Çarshi, por njëkohësisht edhe ansamblet mes vete të shkëmbejnë mendimet e ndryshme dhe anëtarët normal të njoftohen me kultura të ndryshme.”,- tha kryetari i AKV “Ibe Palikuqi”, Kenan Jahja.
Festivali flet për kontributin e Ansamblit “Ibe Palikuqi”, në kultivimin e thesarit të madh kulturor që kemi dhe që duhet ta përcjellim te gjeneratat e ardhshme, vlerëson kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili e shpalli të hapur festivalin.
“Kjo tregon për një traditë të vërtetë, ku kjo tregon edhe për AKV “Ibe Palikuqi” për traditën, peshën dhe kultivimin e thesarit të madh që ka kombi ynë, çdoherë duke na prezantuar në vend dhe jashtë vendit me vlerat kulturore.”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Në festivalin “Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë” morën pjesë 8 shoqëri kulturoro-artistike, tre prej të cilëve nga vendi, ndërsa 5 të tjerat nga Meksika, Bullgaria, Hungaria, Rumania dhe Ukraina. (Semra Ajeti, TVM2)
