Gjykata Penale: "Organizatorët e 27 prillit" u shpallën fajtorë
Ish kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish ministrat, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski....

Ish kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish ministrat, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, dhe ish drejtorin e DSK-së, Vladimir Atanasovski, Gjykata Penale i shpallë fajtorë për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” si organizatorë për ngjarjet e dhunshme të “27 prillit” në Kuvend.
Veljanovski dënohet me 6 vite e gjysmë burg, ish ministrat nga 6 vite e 3 muaj burg, ndërsa ish drejtorit të DSK-së iu shqiptuan 6 vite burg.
Gjatë shqiptimit të vendimit gjykatësi, Ilija Trpkov, tha se shteti mbrohet me mendje dhe zemër dhe jo me dhunë, ku u shkel demokracia.
Përmendi edhe deklaratën e ish kryeministriT, Nikolla Gruevski, ku tha se populli duhet të marrë fatin në duar të veta. Kjo ngjarje ishte e planifikuar, e paramenduar që të ruhet pushteti. Edhe pse kërkesa e prokurorisë ishte që të akuzuarve t’u shqiptohet masa e paraburgimit, gjykata u shqiptoi masën e paraburgimit shtëpiak.
“Akti i zbatuar i dhunës në rastin konkret ka qenë i planifikuar nga ana e të akuzuarve, i motivuar politikisht dhe është kryer në situatë të qetë në vend nga ana e përfaqësuesve të lartë. Pozitën që e kanë pasur të akuzuarit në momentin kritik, duke u nisur nga rrethanat në atë moment që kanë ndodhur në seancën e Kuvendit, e kanë ditur se do të ketë sulm në Kuvend, për çka kanë qenë të vetëdijshëm se masa e njerëzve do të sulmojë, ndoshta edhe mbi jetët e deputetëve.”,- deklaroi gjykatësi, Ilija Trpkov.
Aktvendimi për "Organizatorët e 27 prillit", Smaqoska: Dënimet, nën minimalen e paraparë
Nga prokuroria shprehin pakënaqësinë e tyre për lartësinë e dënimit. Sipas prokurorisë, gjykatësi në këtë rast dhe për këtë vepër penale nuk ka guxuar të shqiptojë dënime me burg që janë më të vogla se 10 vite.
Smaqoska bëri krahasim të dënimit të ish prokurores speciale, Katica Janeva, e cila mori 7 vite burg për “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare”, që është vepër më e lehtë penale se “rrezikimi terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Dënimin e ulët prokuroria tha se do ta ankimojë.
“Dënimi minimal për këtë vepër penale është 10 vite, gjykata i uli shumë dënimet, e patë se ishte 6 vite e 6 muaj dhe 6 vite e 3 muaj, që janë me të vërtetë edhe për prokurorinë shumë dënime të ulëta. Unë si prokurore jam e habitur nga këto dënime të ulëta, pasi që në aktvendimin e parë për kryerësit e veprës së dhunës në Kuvend u dhanë dënime shumë të larta.”,- deklaroi prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Gordana Smaqoska.
Millanov: Në këtë rast nuk kishte fajtorë
Edhe mbrojtja e të akuzuarve paralajmëroi ankesë për vendimin gjyqësor, pasi në këtë rast nuk është dashur të ketë fajtorë pa marrë parasysh lartësinë e dënimit.
“Mbetet e paqartë se për çfarë është sjellë ky aktvendim, nëse për atë çka ka ndodhur më 27 prill, apo për protestat për “Maqedoni të përbashkët”, sepse në arsyetim nuk dëgjova asnjë moment apo fakt që flet për veprime të cilido nga të tre që i mbroj unë për datën 27 prill.”,- theksoi avokati, Elenko Millanov.
Për të arratisurit, Nikolla Gruevskin dhe Nikolla Boshkovskin, procedura është ndërprerë deri sa nuk janë të kapshëm për organet e ndjekjes. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
