Bullgarët në Kushtetutën e RMV-së, Zaev: Do të ndodhë në prag të anëtarësimit në BE
Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se bullgarët....

Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se bullgarët, por edhe pakicat tjera, si kroatët apo malazezët, do të përfshihen në kushtetutë, por pak para anëtarësimit të vendit në BE. Madje kryeministri tha se edhe po të dëshironte qeveria aktuale nuk ka shumicë prej dy të tretave për të bërë ndryshime kushtetuese.
“Ne nuk kemi asnjë paragjykim. Por, nëse dikush kërkon që nesër ta bëjmë këtë, edhe sikur të duam, ne nuk do të mund ta bëjmë, pasi që nuk i kemi dy të tretat e votave, por duhet. Në publikisht themi se po, edhe bullgarët, kroatët, malazezët dhe egjiptianët dhe shumë bashkësi tjera etnike do të përfshihen në Kushtetutën tonë në prag të anëtarësimit tonë në BE.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Lideri i Unionit Demokrati Qytetar, Petar Kolev, ka rihapur çështjen e bullgarëve në vend, duke thënë se bullgarët në RMV presin ndryshimin e Kushtetutës, ndryshim të ligjeve por edhe shpresojnë se bullgarët në këtë vend nuk do t’u nënshtrohen presioneve nëse në regjistrimin demokratik të popullatës ata vetpërcaktohet si bullgar.
Por, i pyetur a duhet edhe Bullgaria të mendojë, t’i përfshijë në Kushtetutën e saj, edhe maqedonasit që jetojnë atje, kryeministri Zaev ishte i përmbajtur.
“Kjo është e drejtë e Bullgarisë. Çdo herë është mirë të ketë reciprocitet, por përzierja në punët e brendshme të vendeve fqinje nuk është porosi e miqësisë. Kjo u mbetet atyre. E them si nevojën tonë, ndërsa jo për shkak të asaj që Bullgaria e kërkon...”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev po ashtu tha se shumica parlamentare do të dorëzojë amendament sa i përket propozim rezolutës së VMRO-DPMNE-së lidhur me linjat e kuqe në bisedimet me Bullgarinë, ku në rezolutë do të vendoset emri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut. (Rexhep Qamili, TVM2)
