Aksidenti i autobusit në Kroaci, Kosova në ditë zie për 10 jetët e humbura
Flamuri i Kosovës mëngjesin e kësaj të hëne u ulë në gjysmë shtizë....

Flamuri i Kosovës mëngjesin e kësaj të hëne u ulë në gjysmë shtizë për aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
Në nderim të viktimave të aksidentit që tronditi vendin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli këtë të hënë ditë zie.
Para organeve gjyqësore kroate këtë mëngjes u paraqit edhe shoferi i autobusit të Kosovës, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e rëndë në “Sllavonski Brod”.
Atij i është caktuar një avokat, sipas detyrës zyrtare, dhe ai është mbrojtur në heshtje.
Pasi është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit, ai është kthyer në paraburgim. Para Prokurorisë, ai sërish do të dalë të martën në orën 09:00, ku do të vendoset për paraburgimin e tij.
Sveçla nga Kroacia: Angazhim që udhëtarët të kthehen në Kosovë
Delegacioni kosovar, i cili po qëndron edhe më tej në Kroaci, po bën përpjekje për t’i kthyer disa nga pasagjerët në Kosovë. Ministri tha se ata vizituan të plagosurit dhe biseduan me ta si dhe me familjarët e të vdekurve.
“Jemi duke u koordinuar me autoritetet këtu që të gjithë udhëtarët të kthehen në Kosovë, apo në Gjermani për ata që duan. Po ashtu, po merremi që t’i dërgojmë edhe trupat e viktimave në Kosovë.”,- deklaroi ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
I pyetur nëse shoferi i arrestuar do të transferohej në Kosovë, ministri Sveçla ka thënë se pritet të gjendet një zgjidhje duke respektuar ligjet kroate. Edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka treguar se dy nga personat e lënduar gjenden në mjekim intensiv e njëri nga ta është në gjendje më të qëndrueshme.
Aksidenti i autobusit të Kompanisë “Deva Tours” ndodhi në “Slavoski Brod” të Kroacisë derisa po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
