Maqedoni

SHBA njeh emrin “Maqedoni”, Venizelos braktis konferencën

05.12.2014 14:31

Një përplasje diplomatike ka ndodhur mes Greqisë dhe SHBA-së, kjo për shkak të përdorimit të emrit “Maqedoni” gjatë një takimi të mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel...

Siç bëjnë të ditur mediat greke, ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, ka braktisur konferencën e mbajtur nga sekretari amerikan i shtetit, Xhon Keri, me ministrat e Jashtëm të vendeve të koalicionit kundër “Shtetit Islamik”.
 
Shkak për këtë veprim është bërë vetë Keri, i cili gjatë përmendjes së emrave të vendeve bashkëpunuese ka thënë "Maqedonia", duke mos përdorur emrin zyrtarë Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. 
 
Pas konferencës, Ministria e Jashtme greke i ka dërguar edhe një letër zyrtare palës amerikane, ku ankohej për atë veprim të kryer.
 
Në letër thuhej se Venizelos ishte larguar nga konferenca në shenjë proteste, duke qenë se emri i fqinjit verior të Greqisë nuk ishte vendosur ende dhe të dy vendet janë ende në proces bisedimesh. Për më tepër, që edhe në Këshillin e Sigurisë së OKB-së emri nuk është vendosur ende.
 
Sipas Greqisë, Keri nuk ndoqi procedurën formale, duke i thërritur vendet me emrin e tyre zyrtarë. Edhe pse pala maqedonase kishte mbërritur në Bruksel me emrin zyrtarë me të cilin përfaqësohen ndërkombëtarisht, në deklaratën e përbashkët që lëshuan 60 vendet pas takimit, shënohej “Maqedonia”. 
 
Pas largimit të Venizelosit, Greqia u përfaqësua në konferencë nga i dërguari i saj në NATO, Mihalis Diamesis.