Zaev: Ministrat dhe drejtorët nuk janë të korruptuar
Kryeministri, Zoran Zaev....

Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se ministrat dhe drejtorët nuk janë të korruptuar. I pyetur rreth raportit të Departamentit Amerikan që flet për korrupsionin në vend, Zaev përgjegjësinë për korrupsionin e sheh te eshaloni i tretë, ku qytetarët kanë kontakt me administratën.
Në këtë kontekst, Zaev nuk e sheh të nevojshme të kërkojë llogari apo dorëheqje nga zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski.
“Ajo nuk është gjetur te ministrat e drejtorët, është gjetur sipas analizës te pjesa e funksionimit administrativ në institucionet publike, prandaj kemi vendosur zëvendëskryeministër për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, dhe nëntë apo dhjetë muaj po punohet në atë temë me këtë fokus. Institucionet e pavarura, si Komisioni Anti-Korrupsion, Entit Shtetëror i Revizionit, Prokuroria dhe Gjyqësori mundet vetëm të ndihmohen nga ky resor.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE: Korrupsion në polici, prokurori e gjyqësor
Por, VMRO-DPMNE thekson se Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit dëshmon nivelin e lartë të korrupsionit në vend. Sipas partisë opozitare, kjo paraqet nevojën për reforma në sistemin e drejtësisë dhe administratën publike.
“Implementimi i ligjeve anti korruptive në disa momente është i dobët, në mënyrë selektive targetohen kritikët e qeverisë dhe njerëz të kalibrit të ulët. Ka akuza kredibile për korrupsion në polici, prokurori, gjyqësor dhe sektorë tjerë shtetërorë.”,- tha Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.
ASh-Alternativa: Vendi ka rrëshqitur nga agjenda europiane
Edhe Koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët theksoi se Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit e vërtetoi korrupsionin në polici, prokurori dhe gjyqësor.
“Kjo është edhe një dëshmi shtesë që me qeverisjen LSDM-BDI, në krye shteti ka rrëshqitur nga agjenda europiane dhe po shkon drejt një regjimi hibrid, i cili institucionet e shtetit dhe paratë e qytetarëve i ka vendosur në funksion të përfitimeve personale. Kjo situatë e diagnostikuar nga Departamenti i Shtetit e bën të qartë se pse Maqedonia e Veriut në raportin e “Transparency International’’ shënon rënie të vazhdueshme, duke u radhitur në vendin e 111.”,- theksoi Orhan Murtezani nga ASh-Alternativa.
Në Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se ndiqen vetëm kritikët dhe persona të kalibrit të ulët dhe se korrupsioni paraqet problem për të zhvilluar biznes. Në raport vlerësohet pozitivisht puna e Komisionit Anti-Korrupsion. (Gyltene Sinani, TVM2)
